Lajme

Gorani: Bota s’na ka gjë borxh, kërkesat që i kemi për perëndimin tingëllojnë absurde


Dukagjin Gorani

Është absurde të priten shpërblime nga perëndimi dhe t’u shtrohen kërkesat atyre për çfarëdo që bëjmë me Serbinë, pasi askush s’na ka borxh gjë, thotë gazetari dhe publicisti, Dukagjin Gorani, në një intervistë dhënë ditën e pavarësisë për Gazetën Express.

Gorani, i pyetur për marrëveshjen potenciale mes Kosovës dhe Serbisë, dhe benefitet nga një pajtim i tillë, pohon se “duhet ta kuptojmë se bota nuk na ka borxh ndonjë shpërblim nëse arrijmë marrëveshje”.

“Bota”, shton Gorani, “nuk na ka detyruar të luftojmë kundër Jugosllavisë dhe Serbisë – kjo ka qenë vullnet yni, apo jo?”.

“Përkundrazi, bota ka intervenuar ushtarakisht që të çlirohemi. Por, borxh nuk na ka, larg asaj”.

Prandaj, për Goranin, “e gjithë kjo kryeneçësi e udhëheqjeve tona politike, gjithë këto kërkesa tona ndaj botës për përfitimet që i presim nga marrëveshja me Serbinë tingëllojnë absurde”.

“Askush s’e ka me borxh të t’i zgjidhë problemet e tua”, vazhdon Gorani. “Nëse mendojmë që do të jetojmë më mirë përmes një marrëveshje me Serbinë, do të ishte mirë ta arrijmë. Nëse mendojmë se kësisoj, pa marrëveshje, jetojmë më mirë, le t’ia bëjmë ashtu pra”, thotë ai.

“Bota dhe miqtë janë të interesuar të na ndihmojnë në telashen tonë, por jo edhe ta zgjidhin atë në vend tonin”.

Kosova dhe Serbia janë fare pranë një marrëveshje që rrjedh nga propozimi franko-gjerman, një kornizë e ideuar nga Franca dhe Gjermania, me dëshirën që të mbyllet pika fragjile e Ballkanit, sidomos pas luftës që shpërtheu në Ukrainë me agresionin rus.

Marrëveshja, siç është elaboruar tashmë, i jep Kosovës njohje jo formale nga Serbia, ose njohje de facto, por detyron Kosovën ta marrë obligimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Me 27 shkurt në Bruksel takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Siç ka raportuar ekskluzivisht Albanian Post, pritet pajtim dypalësh në këtë takim dhe më pas edhe nënshkrim i Marrëveshjes.

Ekskluzive: Çfarë do të ndodhë në takimin e 27 shkurtit në Bruksel…

Intervistën e plotë të Dukagjin Goranit për Express mund ta lexoni këtu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore