Lajme

Goditi një fëmijë në rrugë – ende nuk dihet asgjë për rastin e ministres Rozeta Hajdari


Rozeta Hajdari, ministre e Kosoves

Po afrohen dy javë qëkurse ministrja e Kosovës, Rozeta Hajdari, goditi një fëmijë me veturën e saj, por ende nuk ka asnjë zhvillim rreth hetimeve për këtë rast.

Më 10 prill, saktësisht para 11 ditësh, policia kishte shkruar në raportin e brendshëm se një person ka goditur një të mitur me veturë, për shkak se nuk ka përshtatur shpejtësinë e automjetit me kushtet e rrugës, që i bie ka qenë duke vozitur më shpejt se që lejohet në atë rrugë. Këtë policia e mat me rrugën e frenimit.

Ky raport ishte për ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. Mediat e morën vesh dhe e raportuan se bëhej fjalë për të.

Më pas, ajo doli me një sqarim në llogarinë e saj në Facebook, ku thoshte se nuk ishte ajo që goditi fëmijën, por e kundërta ishte e vërtetë. “Fëmija u përplas me makinën time”.

Të nesërmen, policia në raportin rutinë për njëzetekatër orët e kaluara, e kishte përfshirë rastin e ministres. Prapë kishte konstatuar se vetura goditi fëmijën, megjithatë, ndryshe nga raporti i brendshëm, këtë herë nuk tregohet se aksidenti u shkaktua për mospërshtatje së shpejtësisë.

Albanian Post realizoi një storie për këtë rast dhe nga marketi aty afër, që ka kamera të cilat shohin nga vendi ku ndodhi aksidenti, treguan se policia nuk shkoi fare t’i merrte si prova për të hetuar rastin.

Deri atë moment, dëshmi nuk kishte dhënë as nëna e fëmijës.

Albanian Post që 11 ditë po kërkon nga policia, përmes e-mailave, që të informojnë se në çfarë faze të hetimit të rastit janë, por asnjëherë s’është kthyer përgjigje prapa.

AP ka pyetur policinë edhe për rekordin e ministres në trafik, por është refuzuar edhe kjo kërkesë, meqë nga policia kanë thënë që dhënia e informatave të tilla nuk lejohet me ligj.

“Të dhënat për të cilat keni kërkuar qasje, mbështetur në Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, janë të dhëna personale të ndjeshme (neni 3 paragrafi 1, nënparagrafi 1.25). Përpunimi i këtyre të dhënave, kryhet vetëm nën kontrollin e autoritetit sipas ligjit përkatës, në këtë rast Policisë (neni 9 i ligjit të cekur)”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Sipas forcave të rendit “këto të dhëna mund të bëhen me kërkesë personale dhe mund t’i jepen vetëm vetë palës, por jo edhe palëve të treta.

Vetë ministrja nuk ka pranuar asnjëherë të flasë, përveç atij statusit shfajësues në Facebook.

Nga Kryeministria, po ashtu, nuk kanë folur.

I pyetur në konferencë për media, kryeministri Albin Kurti e ka komentuar shkarazi ngjarjen, duke pohuar se me sa di ai “nuk ka pasur rrugë të frenimit”, duke dashur të thotë se ministrja s’po voziste shpejt.

Policia, në anën tjetër, refuzon të përgjigjet.

Albanian Post ka biseduar me policë të trafikut për të kuptuar si procedohet me këto raste qysh në momentin kur ndodh rasti.

“Merret leja e qarkullimit, pra patentë shoferi, menjëherë”, na kanë thënë.

Ndërsa, Visar Baxhaku, ekspert i komunikacionit, ka treguar për AP se raste të tilla të aksidenteve, normalisht të veruara nga rrethanat, mund të klasifikohen edhe si vepra penale.

“Kur është vepër penale, po, mundet me shku në vajtje”, thotë ai.

“Shkon në vajte kryesi i veprës, pastaj prokurori vendos ta vazhdojë procedurën në mbajtje, arrest shtëpiak apo në gjendje të lirë”.

Edhe Nol Dedaj, një nga ekspertët më publikë për rregullat e komunikacionit, pohon se “varësisht nga shpejtësia e zhvilluar dhe lëndimet trupore të këmbësorit, vendoset a është rast për kundërvajtje apo penale”.

Por, asgjë nga këto nuk dihet në rastin e ministres. Policia ka qëndruar e heshtur për këtë rast, njëjtë si vetë ministrja që refuzon të flasë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore