Shqipëria

Goditen 57 raste të krimeve mjedisore nga Policia e Shtetit


Policia e Shtetit ka bërë me dije se në kuadër të goditjes se krimeve mjedisore, gjatë dy javëve të fundit janë arrestuar 22 shtetas, proceduar penalisht 32 dhe janë shpallur në kërkim tre të tjerë.

Konkretisht janë evidentuar dhe goditur raste të ndërtimeve pa leje, prerjes së paligjshme të pyjeve, pushtimit dhe shpërdorimit të tokës, shkatërrimit të ujësjellësve, shkatërrimit të pronës, ndotjes së ajrit dhe ujërave, dëmtimit të habitateve në zonat e mbrojtura, menaxhimit të mbetjeve, gërryerjes së lumenjve dhe peshkimit të ndaluar.

Në kuadër të këtij operacioni janë përfshirë 1 mijë e 24 forca policore.

Nga ana tjetër Policia ka njoftuar se kontrolli masiv i territorit do të vijojë 24/7, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, në cilëndo fushë që ajo do shfaqet.

Ndër të tjera ajo ka ftuar qytetarët që të kontribuojnë në kufizimin e dëmeve që i shkaktohen mjedisit, duke denoncuar çdo paligjshmëri, në numrin 112 dhe të dërgojnë njoftim apo imazhe në Komisariatin Digjital.

Te kjo e fundit ka bërë me dije se janë bërë përmirësime dhe janë shtuar rubrika të reja për të denoncuar krimet mjedisore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore