Shqipëria

Gjyqtarja që gjykoi çështjen e Gërdecit nuk kalon Vetingun


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren e Tiranës Shefkie Mataj (Demiraj).

Kjo e fundit, ka drejtuar seancën për çështjen e tragjedisë së Gërdecit.

Vendimi u mor nga anëtarët e KPK-së: Roland Ilia, Pamela Qirko dhe Valbona Sanxhaktari.

Sa i takon vendimit për çështjen e Gërdecit, gjyqtarja deklaroi të hënën para komisionit se çështja kishte qenë mjaft komplekse.

Ndryshimet, sipas saj, që kishte bërë Apeli, kishin të bënin me mënyrën e vlerësimit të rrethanave dhe në bindjen e brendshme.

Shefkie Demiraj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992.

Ajo ka punuar për më shumë se një dekadë në Gjykatën e Rrethit Tropojë.

Prej vitit 2006, Demiraj e ushtronte funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë seancës dëgjimore Demiraj dha shpjegime për burimet financiare që shërbyen në ndërtimin e një banese tre kate + papafingo në Tiranë.

Lidhur me profesionalizimin, u evidentuan gjetje për dy denoncime nga publiku.

Në njërën ngriheshin pretendime për zvarritje të procesit dhe arsyetimin e vendimit jashtë afateve.

Ndërsa në çështjen tjetër që kishte të bënte me caktimin e një mase sigurie.

Subjekti kishte shënuar se i proceduari ishte i padënuar, ndërkohë që rezultonte të kishte qenë më parë i dënuar.

Demiraj i kundërshtoi këto konstatime duke theksuar se çështja e parë nuk ishte zvarritur dhe se vendimi ishte dorëzuar në kohë në sekretarinë gjyqësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore