Lajme

“Gjyqi i pazakontë”, si u dënuan udhëheqësit e NATO-s pas bombardimit të Serbisë në 1999


Para 22 viteve, përkatësisht më 21 shtator 2000, gjykata e Serbisë dënoi udhëheqësit e NATO-s pas bombardimeve të Serbisë në vitin 1999.

“Në sallën e mbushur plot me njerëz të Pallatit të Drejtësisë në Beograd, në emër të popullit, krerët e vendeve më të fuqishme të NATO-s u dënuan me 20 vjet burg, siç thuhet në vendim, për “krime lufte të kryera. gjatë bombardimeve të Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999”, kujton BBC në gjuhën serbe.

Sigurisht të pandehurit nuk ishin paraqitur në këtë seancë të pazakontë gjyqësore, por serbët kishin improvizuar duke vendosur fotografitë e liderëve perëndimorë në karriget e sallës me disa mbishkrime.

“Në mungesë të tyre, në karriget e të pandehurve kishte mbishkrime me emrat e presidentit amerikan Bill Clinton, sekretares së shtetit Madeleine Albright, kryeministrit britanik Tony Blair, kancelarit gjerman Gerhard Schröder, ministrat e jashtëm dhe ministrat e mbrojtjes të këtyre tre vendeve, Javier Solana, dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s Ëesley Clark, gjenerali i NATO-s”.

Ata sipas serbëve do të dënoheshin për “nxitje të një lufte agresive, krime lufte kundër popullatës civile, përdorim të mjeteve të paligjshme të luftimit, përpjekje për të vrarë përfaqësues të autoriteteve më të larta shtetërore, si dhe shkelje të sovranitetit territorial të vendit”.

Me rrëzimin nga pushteti të Slobodan Milloshevic-it, më 24 shtator kur u mbajtën zgjedhjet nacionale në Serbi, në të cilat Vojisllav Koshtunica mundi kasapin e Ballkanit, u harrua edhe gjyqi ndaj udhëheqësve të NATO-s. Ndjekja penale u braktis, urdhër-arrestet u hoqën dhe shumë nga ta vizituan Beogradin më pas.

“Procedura kundër Bill Clinton-it u pezullua më 12 shtator 2001, ndërsa ndaj të gjithë të tjerëve më 15 shtator 2001, me vendim të Gjykatës së Qarkut në Beograd, pasi që prokuroria kompetente hoqi dorë nga ndjekja e mëtejshme penale, d.m.th. nga akuza”, transmeton BBC.

Sipas artikullit të BBC-së, Prokurorit të Beogradit iu deshën tre orë për të lexuar aktakuzën prej 183 faqesh dhe më pas emrat e 890 viktimave të supozuara të bombardimeve të NATO-s.

Gjyqi, të cilin disa e kishin krahasuar me gjyqin e Nurembergut ndaj nazistëve gjermanë, zgjatë shumë pak duke u shndërruar në një komedi që kërkoi ta argëtonte audiencën serbe pas kapitullimit.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore