Lajme

Gjukanoviç: Qeveria e Abazoviç-it iu shërbeu interesave serbo-madhe


Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha se ekzekutivi malazez nën drejtimin e kryeministrit Dritan Abazoviç ka prodhuar “efekte katastrofike”, të cilat sipas tij, e paralizuan plotësisht Malin e Zi në rrugën evropiane dhe kërcënuan vetë ekzistencën e shtetit.

Ai tha se opozita malazeze me “përgjegjësi shtetërore” e mbrojti Malin e Zi nga “aneksimi i ri” për të cilin nacionalizmi “serbomadh” mendoi se e kishte një derë të hapur, pas fitores se forcave proserbe në zgjedhjet e vitit 2020.

“Ne mbrojtëm pavarësinë, mbrojtëm anëtarësimin në NATO dhe mbrojtëm rrugën evropiane. Mali i Zi u sulmua fuqishëm si nga nacionalizmi serbomadh ashtu edhe nga imperializmi rus. Kësaj i kanë shërbyer edhe shërbëtorët e serbëve, rusëve dhe antimalazezët”.

“Si në paqe ashtu edhe në luftë, ai që mbron shtëpinë e tij është gjithmonë në avantazh. Opozita jonë me përgjegjësi shtetërore mbrojti Malin e Zi nga aneksimi i ri, për të cilin më 30 gusht 2020, nacionalizmi serbomadh mendoi se i kishte dyert e hapura”, shtoi Gjukanoviç.

Presidenti Gjukanoviç, fushatën elektorale për zgjedhjet e ardhshme presidenciale që do të mbahen më 19 mars, e ka nisur me premtimin se gjatë mandatit të ardhshëm, vendi i tij do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

“Jam i bindur se Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së në mandatin tim të ardhshëm si President i Malit të Zi. Jam i bindur se me atë që kemi bërë deri më tani, kemi ecur shumë më përpara se të gjithë kandidatët e tjerë në rajon”, vlerësoi ai.

Që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në Malin e Zi, më shumë se 30 vite më parë, presidenti Gjukanoviç me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) ka qenë i pakontestueshëm në politikën malazeze, prandaj theksoi se asnjëherë nuk ka hyrë në asnjë betejë politike pa qenë i sigurt se mund të fitojë.

“Duhet të fitojmë zgjedhjet presidenciale, sepse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nëse hyjmë nga pozicioni i fituesit, do të garantojë që DPS të ruajë statusin e partisë më të fortë”, tha Gjukanoviç.

Gjukanoviç është zgjedhur për herë të parë president më 1997 dhe këtë post e ka ushtruar deri më 2003. Ai po ashtu fitoi mandatin e dytë si president në zgjedhjet e prillit të vitit 2018. Ai ka udhëhequr lëvizjen për pavarësinë e Malit të Zi në vitin 2006.

Gjatë mandatit të tij si president, ka nisur procesi i anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, ndërkaq në kohën sa ishte kryeministër, shtetin e tij më 2017 e bëri anëtare të NATO-s.

Në mënyrë që një kandidat të fitojë në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ai duhet të marr mbi 50 për qind të votave, kurse nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i fiton më tepër se gjysmën e votave, raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet pas dy javësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore