Lajme

Gjukanoviç: “Milatoviç vepron nga platforma e Serbisë së Madhe”


Milo Gjukanoviç

Presidenti i Malit të Zi, dhe njëkohësisht kandidat për të fituar edhe një mandat në krye të presidencës malazeze në zgjedhjet e 2 prillit, Milo Gjukanoviç, është shprehur se kundërkandidati i tij, Jakov Milatoviç, është duke vepruar nga “platforma e Serbisë së Madhe”.

“Shumica e kundërshtarëve të mi dalin nga platforma e Serbisë së Madhe. Kjo është pa dyshim. Mandiç, Daniloviç që e theksojnë me krenari, por sado që përpiqen ta fshehin janë edhe Beçiqi dhe Milatoviç. Është plotësisht e qartë se kushdo që gërvishtet pak, del në sipërfaqe. Dhe njëri dhe të tjerët janë forcat e SNS-së që ishin kundër Malit të Zi në çdo udhëkryq që kaluam. Themeli i tyre është atje dhe ata nuk kanë lëvizur shumë prej andej”, ka thënë Gjukanoviç, raporton mediumi malazez Vijesti.

Këto komente ai i bëri gjatë një tubimi elektoral, derisa fliste për marrëdhëniet e trazuara mes Perëndimit dhe Lindjes dhe reflektimin e kësaj gjendjeje në rajon, ku tha se “nacionalistët nuk janë në sistemin evropian të vlerave dhe se ata sistematikisht ofrojnë të njëjtën alternativë false për Ballkanin”.

“Dhe ajo alternativë e rreme është – demokracia multietnike nuk është e mundur në Ballkan, ne jemi të pazhvilluar, jemi të dobët, jemi intolerant ndaj njëri-tjetrit, nuk do të ketë kurrë paqe derisa jetojmë së bashku”, shtoi ai.

Gjukanoviç, po ashtu tha se këto dy vitet e gjysmë “mund të përshkruhen më saktë si agonia e shoqërisë malazeze”.

Ndryshe, Komisioni Shtetëror Zgjedhor në Mal të Zi ka treguar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtur të dielën në Mal të Zi.

Sipas rezultateve të KSHZ-së, nga 100 për qind e votave të përpunuara, presidenti aktual i Malit të Zi dhe Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) Milo Gjukanoviç, fitoi 35,37 për qind të votave (ose 119,673 vota), nënkryetari i Lëvizja Evropa Tani (PES) Jakov Milatoviç 28 ,92 (97,858) dhe Andrija Mandiç nga Frontit Demokratik (DF), 19,32 për qind (65,386).

KSHZ-ja konstatoi se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të vlefshme në zgjedhjet e së dielës ishte 338.381.

Ndryshe, Gjukanoviç dhe Milatoviç u kualifikuan në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen më 2 prill.

Gjukanoviç, 61-vjeçar, ka mbajtur pozitat më të larta në Qeverinë e Malit të Zi në tri dekadat e fundit.

Ai ka shërbyer gjashtë herë si kryeministër, përkatësisht prej vitit 1991. Fitorja në këto zgjedhje, do t’ia siguronte atij mandatin e tretë si president.

Ai e ka shtyrë vendin drejt Perëndimit dhe anëtarësimit në NATO më 2017.

Këto janë zgjedhjet e para presidenciale që nga përmbysja e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç që ishte në pushtet më shumë se tre dekada, kur në gusht të vitit 2020, Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratët dhe lëvizja URA fituan shumicën në parlament.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore