![](https://albanianpost.com/wp-content/uploads/2023/02/Milo-gjukanovic.jpg)
Presidenti aktual i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, fushatën elektorale për zgjedhjet e ardhshme presidenciale që do të mbahen më 19 mars, e ka nisur me premtimin se gjatë mandatit të ardhshëm, vendi i tij do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
“Jam i bindur se Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së në mandatin tim të ardhshëm si President i Malit të Zi. Jam i bindur se me atë që kemi bërë deri më tani, kemi ecur shumë më përpara se të gjithë kandidatët e tjerë në rajon”, vlerësoi Gjukanoviç.
Që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në Malin e Zi, më shumë se 30 vite më parë, presidenti Gjukanoviç me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) ka qenë i pakontestueshëm në politikën malazeze, prandaj theksoi se asnjëherë nuk ka hyrë në asnjë betejë politike pa qenë i sigurt se mund të fitojë.
“Duhet të fitojmë zgjedhjet presidenciale, sepse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nëse hyjmë nga pozicioni i fituesit, do të garantojë që DPS të ruajë statusin e partisë më të fortë”, tha Gjukanoviç.
“Ne kemi qenë dhe jemi edhe sot, por këtë duhet ta konfirmojmë në zgjedhjet parlamentare për të ruajtur pozitën e shtyllës kurrizore të politikës shtetërore të Malit të Zi dhe për të qenë shtylla e qeverisë së ardhshme”, shtoi ai.
Gjukanoviç është zgjedhur për herë të parë president më 1997 dhe këtë post e ka ushtruar deri më 2003. Ai po ashtu fitoi mandatin e dytë si president në zgjedhjet e prillit të vitit 2018. Ai ka udhëhequr lëvizjen për pavarësinë e Malit të Zi në vitin 2006.
Gjatë mandatit të tij si president, ka nisur procesi i anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, ndërkaq në kohën sa ishte kryeministër, shtetin e tij më 2017 e bëri anëtare të NATO-s.
Në mënyrë që një kandidat të fitojë në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ai duhet të marr mbi 50 për qind të votave, kurse nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i fiton më tepër se gjysmën e votave, raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet pas dy javësh.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Plani i Trump për paqen në Ukrainë: Nuk ka ndihma amerikane nëse Kievi nuk ulet për të negociuar
-
Bajrami thotë se raporti që iu dërgua BE-së për Banjën është “faktik” dhe “bindës”
-
Nikolla e keqardhur që opozita ka bojkotuar Komisionin për Dezinformimin
-
“Pa u sanksionuar Serbia, s’do të ketë dialog”: Kurti harron kushtin e vendosur vetë pas Banjskës