Kosova

Gjukanoviç: Kthimi i Kosovës nën Serbi është rishikim i pamundur historik


Milo Gjukanoviç

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, në panelin “Zhvillimi i ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor” të organizuar nga Lëvizja Evropiane, tha se “ideja e kthimit të Kosovës nën Serbi është një rishikim i pamundur historik sepse Kosova është e pavarur”.

Gjukanoviç është i bindur se çështja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet, por shtoi se në vitin 1999 është tentuar të kryhet gjenocid në territorin e Republikës Socialiste Fedarative të Jugosllavisë dhe se “ata që e dinë këtë nuk kanë të drejtë të presin që ne të harrojmë”.

“Kur hyn në një luftë dhe e humb atë, nuk ka zgjidhje tjetër veçse të pranosh humbjet. Politika e paarsyeshme e Serbisë në atë kohë çoi në hyrjen në luftë, humbjen e saj dhe në pavarësinë e Kosovës. Prandaj, çdo përpjekje për t’u kthyer mbrapa nuk çon askund”, tha ai.

Ai theksoi se Serbinë nuk e percepton si kundërshtar dhe se nuk kërcënon interesat e serbëve, siç është akuzuar nga partitë pro-ruse dhe pro-serbe, por se me shumë vetëdije kërcënon interesat e të ashtuquajturës “Serbisë së Madhe”.

Kur ka folur për situatën politike, shefi i shtetit malazez tha se Qeveria e Malit të Zi e cila udhëhiqet nga kryeministri Dritan Abazoviç, më shumë po ndjekë interesat e “Serbisë së Madhe” dhe Rusisë sesa interesat evropiane. 

Osmani: Vuçiç ndryshon strategjinë, por jo qëllimet

Presidentja e Kosovës, Vljosa Osmani, tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiç përdor taktika të ndryshme, por e vërteta e hidhur është se ndonëse ai mund të ndryshojë strategji, ai nuk po ndryshon qëllimet e tij.

Në panelin “Sfidat për paqen dhe stabilitetin në dritën e krizës rajonale dhe globale”, Osmani tha se marrëveshja me Beogradin do të ishte e mundur nëse nuk do të ishte Vuçiç në anën tjetër të tryezës së bisedimeve.

“Unë nuk i besoj Vuçiç-it në negociata, por i besoj partnerëve tanë, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, të cilët besoj se kanë parasysh interesat tona më të mira”, theksoi Osmani.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, shefja e shtetit tha se Kosova nuk është kundër të drejtave të pakicës serbe, sepse nuk ka asnjë vend në Evropë dhe në botë që t’u jap më shumë të drejta minoriteteve.

“Nuk ka sistem në të cilin Kushtetuta nuk mund të ndryshohet nëse nuk voton edhe pakica – këtu pakica serbe ka të drejtën e vetos për ndryshimet e kushtetutës, legjislacionit zgjedhor, ligjeve në fushën e arsimit. Prandaj, ne nuk jemi kundër të drejtave të pakicave, por duhet të sigurojmë që sistemi të funksionojë, të mos e kthejmë në Republika Srpska”, theksoi Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore