Kosova

Gjukanoviç: Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë marrëveshjen, ky shans nuk duhet lëshuar


Milo Gjukanoviç

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, në një intervistë për Deutsche Welle, tha se ka pasur diskutime intensive me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, por jo vetëm, për të diskutuar në lidhje me procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

Ai vlerësoi se lëvizjet e para drejt një marrëveshje veçse janë bërë, pasi të dyja palët – kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç –  konsiderohet se e kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

“Qëndrimi im dihet prej kohësh: nuk ka rrugë tjetër përveç marrëveshjes. Çdo ide tjetër, si ideja e mbajtjes së konfliktit të ngrirë, është në fakt në funksion të një doktrine destruktive ndaj Evropës dhe ndaj Ballkanit Perëndimor si rajon evropian”, tha Gjukanoviç.

Presidenti malazez theksoi se propozimi evropian, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, paraqet një “shans që nuk duhet lëshuar” sepse gjendja aktuale sipas tij, nuk do t’i sjellë gjëra të mira as Kosovës, as Serbisë, as Ballkanit Perëndimor dhe as Evropës.

“E di që në ditët në vijim në Bruksel do të vazhdojnë bisedimet për planin e zbatimit. Shpresoj se edhe për këtë do të arrihet një marrëveshje. Sinqerisht dua që Serbia dhe Kosova ta nënshkruajnë marrëveshjen, sepse mendoj se kjo do të ishte e një rëndësie të pamatë për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit”, përfundoi ai.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç do të takohen me kryediplomatin evropian, Josep Borrell, në Bruksel me 27 shkurt me idenë e një pajtimi të përbashkët në parim për nënshkrimin e “Marrëveshjes Bazë” të mbështetur në propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Albanian Post nga burime diplomatike ka mësuar se një pajtim për nënshkrimin e marrëveshjes tashmë është dhënë nga të dyja palët. Nëse gjithçka shkon sipas planit të rënë dakord, pas takimit të 27 shkurtit palët do të dalin me njoftimin se është arritur pajtim në frymën e kompromisit, edhe pse nënshkrimi zyrtar nuk bëhet atë ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore