Lajme

Gjukanoviç kërkon edhe një mandat si president i Malit të Zi


Milo Gjukanovic

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç do të garojë për të fituar edhe një mandat në krye të Malit të Zi.

Vendimi për nominimin e Gjukanoviç-it u miratua në Bordin e Kryesisë të Partisë Demokratike Socialiste, pasi që Kryesia e partisë e kishte propozuar Gjukanoviç-in kandidat.

“Lideri i DPS-së dhe presidenti aktual i vendit, Milo Gjukanoviq, do të jetë kandidati i partisë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale”, ka njoftuar kjo parti përmes një cicërime në Twitter.

Ndërkaq, pas vendimit të Bordit të Kryesisë, Gjukanoviç iu drejtua të pranishmëve në seancë me një fjalë rasti.

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi janë caktuar që të mbahen me 19 mars, ndërsa deri më 26 shkurt është afati që kandidaturat t’i dorëzohen Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Deri më tani, nga ky institucion janë konfirmuar kandidaturat e njërit prej liderëve të Frontit Demokratik, Andrije Mandiç dhe deputetes së Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviç Stankoviç.

Që nga vendosja e sistemit shumëpartiak, më shumë se 30 vite më parë, Gjukanoviç ka qenë i pakontestueshëm në politikën malazeze.

Për herë të parë, Gjukanoviç është zgjedhur president i Malit të Zi në vitin 1997, dhe ka qenë në krye të shtetit malazez deri në vitin 2003.

Ndërkaq, mandatin e dytë si president e fitoi në zgjedhjet e vitit 2018. Gjithashtu, ka qenë udhëheqës i lëvizjes për pavarësinë e Malit të Zi, në vitin 2006.

Ndryshe, Gjukanoviç ka qenë edhe kryeministër i Malit të Zi – dhe gjatë kësaj kohe Mali i Zi u bë anëtar i NATOS-s në vitin 2017.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore