Lajme

Gjukanoviç jep dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë


Milo Gjukanoviç ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Socialistëve në Mal të Zi.

Gjukanoviç ka qenë në krye të kësaj partie që nga viti 1998 e deri këtë të mërkure kur dha dorëheqje.

Kjo dorëheqje vjen disa ditë pasi që ai humbi zgjedhjet presidenciale.

Ndryshe, në zgjedhjet presidenciale të mbajtura me 2 prill sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Hulumtim (CEMI), bazuar në 90 për qind të votave të numëruara, Jakov Milatoviç ka fituar rreth 60.2 për qind të votave në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kurse kundërkandidati i tij, presidenti aktual, Millo Gjukanoviç, ka marrë rreth 39.8 për qind.

Gjukanoviç ka qenë në krye të politikës malazeze për më shumë se 33 vjet.

Ai është konsideruar si një aleat i Perëndimit për kundërshtimin e ndikimit rus në Mal të Zi.

Ka qenë gjashtë herë kryeministër i Malit të Zi dhe dy herë president.

Gjukanoviç hyri në politikë në fund të viteve 1980.

Në moshën 29-vjeçare, u zgjodh kryeministër për herë të parë në vitin 1991.

Ai u distancua nga politika luftarake e Sllobodan Millosheviçit, presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, në vitin 1997, kur u zgjodh president për herë të parë.

Nga pozita e kryeministrit udhëhoqi lëvizjen për pavarësinë e Malit të Zi, e cila u rinovua në vitin 2006.

Të njëjtin pozicion e mbajti në vitin 2010 kur Mali i Zi filloi procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në 2017 kur u anëtarësua në NATO.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore