Lajme

Gjukanoviç: Banja, shprehja përfundimtare e një politike të gabuar ndërkombëtare


Milo Gjukanoviç

Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, duke folur për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka thënë se Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, po përpiqet që të demonstrojë forcën e “ariut rus”, dhe se kjo do të rrisë më tej entuziazmin e nacionalistëve serbë të mëdhenj në rajon, teksa për këtë mori si shembull sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit.

“Nacionalistët duan të ndryshojnë kufijtë, të krijojnë shtete të zgjeruara që do të jenë homogjene kombëtare dhe fetare. Në atë skenar, nuk ka Bosnje e Hercegovinë, as Mal të Zi, as Kosovë të pavarur, as Maqedoni të Veriut. Dhe besoj se gjithmonë mund të përfundojë vetëm në një mënyrë – gjithmonë përfundon me luftë, krime dhe gjenocid, dhe kjo është diçka nga e cila, le të shpresojmë se do të shpëtojmë”, tha Gjukanoviç, transmeton media malazeze “Pobjeda”.

Gjukanoviç theksoi se të njëjtit në Kosovë u përpoqën që të hapnin “një konflikt të ngrirë në Ballkanin Perëndimor”, duke iu referuar sulmit terrorist të 24 shtatorit, ndërsa e konsideroi këtë si politikë të Rusisë.

“Është e qartë se e kujt është politika. Kjo është politika e Rusisë. Ideja e atij akti terrorist në Kosovë ishte që të shkaktonte trazira, të çonte në një konflikt të kufizuar, finalja e të cilit do të ishte tërheqja e vijës demarkuese ndërmjet Veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës”, shtoi.

Serbia, sipas tij, “me këtë konflikt donte ndarjen e Kosovës”, duke shtuar se “kjo është ideja bazë”.

“Por ajo që do të duhej të bënim është të përcaktojmë se cila politikë krijoi atmosferën në të cilën u krye akti terrorist në performancën përfundimtare operacionale. Besoj se ishte politika e bashkësisë ndërkombëtare, e partnerëve perëndimorë, e Departamentit të Shtetit, politika e dorëzimit ndaj Serbisë, politika e dhënies së koncesioneve ndaj Serbisë për të treguar politikën e saj në Ballkanin Perëndimor”.

“Në këmbim pritej që Serbia të largohej nga Putini, gjë që nuk ndodhi. Pritej që Serbia të ndalonte pengimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Ajo që ndodhi ishte se Serbia i përdori ato lëshime. Serbia në vend që të udhëheqë politikën e saj të brendshme, filloi të udhëheqë një politikë të kujdesit për serbët në rajon. Shkatërron sovranitetin e fqinjëve dhe përkeqëson stabilitetin e rajonit”, theksoi.

Ajo që ndodhi në Kosovë, vlerëson ish-presidenti malazez, “është shprehja përfundimtare e një politike të gabuar ndërkombëtare”, e cila thotë ai “është nënshkruar nga përfaqësues të autorizuar të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor”.

I pyetur se pse bashkësia ndërkombëtare është e butë ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ai pohoi se kreu i Serbisë “vepron aq sa ka hapësirë”, duke shtuar se “asnjëherë nuk e fshehu profilin e tij ideologjik”.

“Ai është nacionalist serb. Ai nuk e fshehu as afërsinë e tij me Putinin. E gjithë kjo do të ishte më pak e rrezikshme nëse nuk do të ishte miratuar, madje inkurajuar dhe justifikuar para bashkësisë ndërkombëtare nga zyrtarët ndërkombëtarë për arsye të caktuara llogaritëse. Nëpërmjet formave të ndryshme, ata u përpoqën ta kënaqin Vuçiç-in duke i ofruar forma të ndryshme institucionale të dominimit në rajon”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore