Shqipëria

GJKKO dënon agjentin iranian me 15 vite burg për terrorizëm


Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), ka dënuar me 15 vite burg nën akuzën për terrorizëm shtetasin iranian Bijan Pooladrag.

Po kaq, kishte kërkuar gjatë muajit tetor Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Sipas njoftimit zyrtar, gjykata e shpall fajtor të pandehurin për veprën penale “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

Pooladrag u deklarua fajtor edhe për veprën penale “Organizata Terroriste”, dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.

Në sqarimin e GJKKO-s bëhet me dije se me bashkimin e dënimeve dhe zbatimin e gjykimit të shkurtuar ai do të dënohej në total me 10 vjet burg.

Shtetasi iranian erdhi në Shqipëri si anëtar i MEK-ut, por hetimet zbuluan se ishte agjent i shërbimeve iraniane.

Ai u arrestua në vitin 2020, i akuzuar për spiunazh, ndërsa ishte larguar pak kohë më parë nga kampi në Manzë.

Në tetor të vitit 2020, Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest me burg”, pasi ai u kap në operacionin “Hija”, pasi ndërhynte në telefonat e të tjerëve, merrte kodet dhe vidhte të dhënat.

Shtetasi iranian deklaroi në gjyq se ka ikur nga Irani, sepse i rrezikohej jeta.

“Kam ikur nga Irani, sepse atje ndihesha i rrezikuar për jetën. Jetoj me 300 euro në muaj, që marr si asistencë nga një organizatë iraniane”, deklaroi asokohe Pooladrag.

Megjithatë, para gjykatës 46-vjeçari nga Irani mohoi akuzat, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me spiunazhin apo me sulmet kibernetike.

Shtetasi nga Irani hyri në Shqipëri në 2016. Ai komunikonte përmes një aplikacioni me të tjerë duke u lidhur me numrat e telefonit të shtetasve të ndryshëm.

Sipas Policisë, iraniani siguronte kodin e verifikimit të aplikacionit duke e bërë të disponueshëm në aparatet e tij kompjuterike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore