Lajme

Gjermania regjistroi mbi 1100 shkelje të lidhura me konfliktin Izrael-Hamas


Policia gjermane ka regjistruar më shumë se 1 mijë e 100 shkelje në lidhje me konfliktin Izrael-Gaza që kur Hamasi nisi sulmin e tij vdekjeprurës në fillim të këtij muaji, thotë Ministrja e Brendshme Nancy Faeser.

“Këto janë shifra paraprake… dhe hetimet janë duke u zhvilluar kudo”, u tha Faeser gazetarëve në një konferencë shtypi në Zyrën Federale të Policisë Kriminale (BKA) në Wiesbaden.

Veprat e regjistruara përfshinin “lëndim trupor … shkelje të qetësisë, nxitje urrejtjeje dhe dëmtim të pronës”, u shpreh zëvendës-shefi i BKA-s Juergen Peter në të njëjtën konferencë për shtyp.

Në përgjithësi, ishte regjistruar një shifër “e ulët treshifrore” e krimeve të dhunshme, deklaroi Peter.

Berlini ishte kthyer në një “pikë të nxehtë” për shkelje, shtoi ai, me shumicën që ndodhin në kryeqytet, ku përplasjet mes protestuesve dhe policisë ishin më të ashpra.

Policia kishte bërë “qindra arrestime të përkohshme” në Berlin, thotë Faeser, duke shtuar se kjo ishte “përgjigja e duhur”.

“Mbi 100 policë janë plagosur nga shishet e hedhura dhe fishekzjarrët” në qytet, thotë Faeser, duke shtuar se “kjo dhunë… nuk është aspak e pranueshme”.

Në total, 46 tubime në lidhje me konfliktin ishin ndaluar nga autoritetet që nga 7 tetori, thotë Faeser.

Në të kundërt, 211 ngjarje pro-izraelite dhe 129 ngjarje pro-palestineze kishin ndodhur në atë periudhë, thotë Faeser.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore