Lajme

Gjermania nuk vendos kufizime për përdorimin e dozës Johnson & Johnson


Gjermania ka vendosur të mos aplikojë kufizime në përdorimin e vaksinës Johnson & Johnson COVID-19, tha të premten e 23 prillit kreu i rregullatorit të vaksinave të vendit. Ky i fundit shtoi se paneli i ekspertëve që vendos për përdorimin e saj do të takohet javën e ardhshme për të vlerësuar të dhëna të reja.

Rregullatori i barnave në Evropë mbështeti vaksinën J&J këtë javë pasi shqyrtoi rastet e një raportimi të rrallë të mpiksjes së gjakut te të rriturit në SHBA që morën një dozë. Por EMA ua la në dorë shteteve anëtare të BE-së të vendosin për përdorimin e saj.

Komiteti i vaksinave të Gjermanisë, i njohur si STIKO, ka kufizuar përdorimin e dozave të AstraZeneca-s, tek ata të moshës 60 vjeç e lart për shkak të rrezikut të mpiksjeve të rralla të gjakut.

Klaus Cichutek, kreu i Paul-Ehrlich-Institute, tha që vaksina J&J ishte e sigurt dhe efektive dhe se frekuenca e raportimeve për një çështje jashtëzakonisht të rrallë të mpiksjes ishte 10 herë më e ulët se sa me dozën AstraZeneca.

Një takim i STIKO-s të enjten e 22 prillit, për të vlerësuar të dhënat rreth vaksinës J&J nuk kishte nxitur ndonjë kufizim në përdorimin e vaksinës, tha ai.

“Do të ketë takime të mëtejshme të STIKO-s javën e ardhshme dhe një vlerësim do të bëhet në bazë të të dhënave të reja”, tha ai një konference shtypi në Berlin.

EMA ekzaminoi tetë raste të mpiksjes që ndodhën te të rriturit amerikanë nën 60 vjeç, kryesisht gra, brenda tre javësh nga vaksinimi me një dozë të vetme J&J. Rastet u raportuan nga më shumë se 7 milionë doza të administruara në Shtetet e Bashkuara që nga 13 prilli.

Përshtatur nga Reuters për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore