Lajme

Gjenerali Wesley Clark së shpejti do ta vizitojë Kosovën


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë takimit virtual me gjeneralin amerikan, Wesley Clark

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë së premtes ka zhvilluar një takim virtual me gjeneralin amerikan, Wesley Clark.

Mehaj ka bërë të ditur se gjenerali Clark i është përgjigjur pozitivisht ftesës për vizitë në Kosovë.

“Gjeneralin Clark e ftova për vizitë në Ministrin e Mbrojtjes dhe FSK, të cilën ma konfirmoi me kënaqësi, vizitë kjo që do të realizohet së shpejti”, ka njoftuar ministri i Mbrojtjes nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Mehaj tutje, ka deklaruar se ishte nder i madh dhe privilegj i veçantë për të që ta takoj gjeneralin historik amerikan, Clark, edhe pse biseda ishte realizuar përmes një video-lidhje, e cila kishte zgjatur për rreth një orë.

“I thashë se ju jeni Heroi i Kombit dhe të gjithë qytetarëve liridashës të Kosovës dhe i tillë do të jeni gjithmonë. Gjeneral Clark, më bëri nder të veçantë në jetë dhe karrierën time duke shprehur vullnetin e tij të plot për këshillim nga eksperienca e tij ushtarake dhe diplomatike, si dhe autoriteti i tij i jashtëzakonshëm në qendrat e vendimmarrjes botërore”.

Gjenerali Clark ka shprehur gatishmërinë që të këshilloj ministrin Mehaj, për realizimin e qëllimeve strategjike dhe objektivave operacionale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

“Ai shprehu gatishmërinë e tij të plotë të mbështes me këshillimin e tij në realizimin e qëllimeve të mia strategjike dhe objektivave të mi operacional për zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së”, ka shkruar Mehaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore