Shqipëria

Gjendja e emergjencës për energjinë elektrike shtyhet deri në fund të vitit


Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka shtyrë deri në fund të vitit 2022 gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike.

Lajmi u bë i ditur pas publikimit të Vendimeve të Këshillit të Ministrave në faqen zyrtare të Kryeministrisë.

“Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 31 dhjetor 2022”, shkruhet në VKM-në e publikuar më 29 prill.

Më 3 tetor të vitit të kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se kriza e jashtëzakonshme energjetike do të përfshinte dhe vendin tonë.

Sipas Ramës, kjo krizë kishte nisur të jepte shenjat nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Evropian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia.

“Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit, po afron bashkë me dimrin dhe me rritjen e natyrshme të nevojës edhe për ngrohje”, deklaronte asokohe Rama.

Kryeministri shtoi se kjo do të sillte rritje “marramendëse” të çmimeve të gazit dhe karbonit dhe të çmimeve të naftës.

Masat

Ministrja shqiptare e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, do të bënte me dije kohë më parë planin e masave për menaxhimin e situatës me krizën energjetike.

Zyrtarja njoftoi fillimisht se importi do të jetë më i madh se prodhimi vendas.

Gjithashtu do të ketë një ndërprerje në akset kombëtare të ndërthura me degëzime.

Këto masa nuk do të aplikohen në rrethrrotullime.

Balluku theksoi se duke nisur nga ora 12 e mesnatës do t’u kërkohet të gjithë Bashkive që të fikin dritat në ndërtesat që nuk kanë domosdoshmëri.

“Qeveria ka vendosur të mbrojë abonentët familjarë dhe ato të biznesit të vogël, nuk do të ketë ndryshime. Duhet kuptuar që të gjithë duhet të kursejmë, ndodhemi përpara një fakti sepse sasitë janë të limituara”, do të shprehej ajo.

Në përfundim të fjalës së saj Balluku theksoi se, “do e kalojmë këtë krizë ashtu si dhe ato të tjera”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore