Lajme

Gjendet një veturë në lumin Lepenc, s’dihet akoma nëse është e të aksidentuarve


Ilustrim

Një veturë është gjetur në lumin Lepenc të dielen, rreth 200 metra larg vendit të aksidentit tragjik ku janë përfshirë një veturë e tipit Volkswagen me targa të Maqedonisë së Veriut dhe një veturë BMW me targa të Kosovës, me të cilën po udhëtonin katër persona, shtetas të Kosovës.

Kështu të paktën raporton “Klan Macedonia” nga vendi i ngjarjes, ndërsa pritet të konfirmohet nëse vetura është BMW dhe nëse brenda saj gjenden tre anëtarët e familjes kosovare, të cilët vijojnë të zhdukur që nga e shtuna, pas aksidentit disa kilometra larg vendkalimit kufitar mes dy shteteve në Bllacë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se 30 pjesëtarë të policisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë profesionistë të kërkim shpëtimit të Maqedonisë së Veriut, janë duke e bërë maksimumin e tyre në lokalizimin dhe nxjerrjen e tre personave që kanë rënë në lumin Lepenc.

Ndërkaq, autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se kanë arrestuar të dielen shoferin e automjetit me targa të Shkupit (64-vjeçar) nën dyshimin se është përfshirë në aksidentin e trafikut, ku si pasojë automjeti me targa të Kosovës ka rënë në lumin Lepenc.

Ndryshe, njësitet speciale të policisë maqedonase dhe të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim po vazhdojnë kërkimet për tre shtetasit e Kosovës të zhdukur në lumin Lepenc afër Shkupit, ku për shkak të reshjeve të shumta të ditëve të kaluara, operacioni është duke u realizuar me disa vështirësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore