Sport

Gjenden 250 varre në pronën e Pique-s


Mbrojtësi i Barcelonës, Gerrard Pique, i cili njihet për disa interesa biznesi jashtë futbollit, ka investuar në një projekt për ndërtimin e një hoteli luksoz në Malaga.

Pique shpenzoi rreth 20 milion dollarë për të blerë pronën e vendosur në Costa del Sol.

Megjithatë, projekti është ndalur pasi ka hasur në një pengesë të papritur.

Sipas botimit nga gazeta spanjolle “Marca”, 250 varre janë gjetur në atë pronë, ku Pique planifikonte ndërtimin e hotelit.

Tani do të duhet të kryhen studime për të përcaktuar se nga cili shekull janë varret.

“Ne kemi gërmuar rreth 250 varre, shumica dërrmuese e të cilave janë bosh,” shpjegoi arkeologu Alberto Cumpian për Hoy por hoy Malaga.

“Ndoshta, varret nuk janë përdorur kurrë dhe nuk janë mjaft të vlefshme për t’u ruajtur. Është një nga nekropolet më të mëdha në vend”, shtoi Cumpian.

Cumpian shtoi se nuk pritej të kishte ndonjë vonesë të mëtejshme pasi të ishin studiuar varret dhe se projekti i hotelit të Pique-s do të mund të rifillojë në fillim të vitit 2023.

Pique po planifikon qartë jetën e tij pas pensionimit të tij nga futbolli.

35-vjeçari është nën kontratë me Barcelonën deri në verën e vitit 2024, por është folur për largimin e mbrojtësit nga klubi katalanas para përfundimit të kontratës së tij.

Pique ka humbur vendin e tij në formacionin fillestar të Barcelonës, por mbetet një nga lojtarët më të paguar në klub.

Sipas raportimeve në Spanjë, mbrojtësi veteran thuhet se po shqyrton të ardhmen e tij dhe mund të kërkojë një largim nga “Camp Nou” në afatin kalimtar të janarit.

Nëse një lëvizje dështon të realizohet, Barcelona thuhet se shpreson që Pique do të njoftojë tërheqjen e tij në fund të sezonit 2022/23 për të shmangur pagën e tij për një sezon tjetër.

Duke folur në vitin 2021, Pique tha: “Ditën që do të ndjej se nuk mund ta ndihmoj më Barçën, do të tërhiqem”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore