Lajme

Gjeloshaj: Të hënën do vendosim nëse marrim pjesë në qeverinë e re malazeze


Nik Gjeloshaj

Nik Gjeloshaj, bartësi i listës së Forumit Shqiptar, ka thënë se deri të hënën ky koalicion do të marrë vendim sa i përket pjesëmarrjes në qeverinë e re malazeze.

“Do ta shqyrtojmë draftin e propozuar të marrëveshjes, i cili do të analizohet në ditët në vijim dhe do t’i përcillet organeve të subjektit politik për vendim”, ka shkruar Gjeloshaj në Facebook.

Kryetari i Tuzit theksoi se matematikisht, i mandatuari për të formuar qeverinë e 44-të malazeze, Milojko Spajiç, mund ta krijojë ekzekutivin e tij edhe pa Forumin Shqiptar.

Milojko Spajiç

“Lëvizja Evropa Tani dhe Mali i Zi Demokratik janë adresat që do të marrin përgjegjësinë për komunikimin me partnerët tanë ndërkombëtarë”, shtoi.

Gjeloshaj pohoi se ata mund të jenë pjesë e qeverisë së Spajiç-it vetëm nëse e njëjta dënon agresionin rus dhe qëndron për të drejtat e Ukrainës, mbështet sanksionet e BE-së kundër Rusisë, “e cila mbron të drejtat e pakicave dhe respekton sovranitetin e vendeve fqinje të njohur nga shteti i Malit të Zi”.

Projektmarrëveshja e koalicionit qeverisës në Mal të Zi që do ta nënshkruajnë përbërësit e mundshëm të ekzekutivit të ardhshëm, parasheh që pozitën e zëvendëskryeministrit për politikë ekonomike në departamentin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të propozohet nga Forumi Shqiptar.

Raportohet se Forumi Shqiptar do të marrë pozicionin kryesor në departamentin e Administratës Publike, ndërsa Aleanca Shqiptare do të marrë ministrin e të Drejtave të Njeriut dhe të Minoriteteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore