Sport

Gjakova fiton medaljen e argjendtë në Grand Slam-in e Abu Dhabi-t


Nora Gjakova ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slam-in e xhudos, që po mbahet në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kampionia olimpike, pas katër fitoreve, u ndal në finale nga koreania, Mimi Huh, në kategorinë -57 kg.

Nora i është rikthyer garave pas 15 muajsh, dhe rikthimi në podium vlerësohet sukses i madh, marrë parasysh që rrugëtimin e saj drejt Lojërave Olimpike Paris 2024 e nisi edhe me arkëtimin e 700 pikëve olimpike.

Gjakova në gjysmëfinale mposhti xhudisten gjeorgjiane, Eteri Liparteliani.

Ndërsa në çerekfinalje, ajo fitoi kundër xhudistes serbe, Marica Perisic, pasi kjo e fundit mori tri penalizime.

Në raundin e parë, Gjakova mundi xhudisten nga Koreja e Jugut, Yuna Shin, ndërsa në raundin e dytë eliminoi holandezen, Pleuni Cornelisse.

Kujtojmë që Kosova po përfaqësohet nga tre xhudiste në turneun e Abu Dhabit. Përveç Gjakovës do të jetë Laura Fazliu dhe Lorina Kuka.

Fazliu garon në peshën -63 kilogramë dhe ndeshet të shtunën. Ndërsa, Kuka do të garojë në peshën -78 kilogramë dhe do të ndeshet të dielën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore