Sport

Gjakova e Krasniqi: Medaljet e arta janë të gjithë popullit të Kosovës


Fituesja e medaljes së artë në Tokyo, xhudistja Distria Krasniqi, me të mbërritur në Kosovë, ka premtuar medalje të reja për Kosovën.

“Falënderoj të gjithë, sidomos popullin shqiptar që na ka përcjellë dhe përkrahur. Po ashtu trajnerin Driton Kuka e falënderoj. Besoj se nuk do të mbesim vetëm me këto medalje, pasi edhe nga Parisi do të kthehemi me medalje”, tha Krasniqi.

Medalistja tjetër e artë Nora Gjakova, ka theksuar se medaljet e fituara në Tokyo janë të gjithë popullit të Kosovës.

“Dua të falënderoj trajnerin Driton Kuka që ka bërë një punë të jashtëzakonshme pasi ka sakrifikuar shumë me mua. Dua ta falënderoj edhe familjen time. Faleminderit popullit të Kosovës, të cilët na kanë mbështetur vazhdimisht. Kjo medalje është për gjithë popullin e Kosovës” ka pohuar Gjakova.

Ndërkaq trajneri i Nores dhe Distrisë, Driton Kuka, ka thënë se do të flas pak më shkurt sepse flasin medaljet.

“Dua ta falënderoj në radhë të parë, heroinën tonë, Majlinda Kelmendin që në vitin 2016 e nisi këtë rrugë. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi më ka mbetur një moment në kujtesë, kur e kemi bërë një fotografi te pesë rrathët olimpikë dhe shfaqëm synimet t’i fitojmë pesë medalje, tashmë i kemi tri medalje të arta”, ka potencuar Kuka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore