Sport

Giroud: Jemi në një moment të vështirë, duhet të qëndrojmë të bashkuar


Milan-i u deklasua nga Sassuolo, duke u mposhtur me rezultat 2:5 në San Siro, në ndeshjen e javës së 20-të në Serie A.

Pas kësaj humbje, foli në konferencën për media sulmuesi i kuqezinjve, Olivier Giroud, i cili tha se gjenden në një moment shumë të vështirë.

Ai foli edhe për ndeshjen me Romën, të cilën ekipi i tij nuk mundi ta fitojë edhe pse deri në minutën e 87-të ishin duke fituar me dy gola epërsi. Francezi tha se që nga ajo ndeshje gjërat nuk kanë shkuar mirë për ta.

“Ai barazim lëndoi, ne ishim duke fituar deri në minutën e 87-të. Ne donim të kishim një reagim, nuk e bëmë, tani kam ndjenjën se kur gjërat nuk shkojnë siç duhet, por duhet të qëndrojmë së bashku dhe te provojmë të gjithë së bashku”, tha Giroud.

“Të gjithë përpiqemi të bëjmë maksimumin me një dëshirë të madhe për t’i bërë tifozët krenarë. Sot ata na mbështetën deri në fund, edhe pas fishkëllimës së fundit”, shtoi francezi.

Giroud tha se është e vështirë të fitosh kur pëson shumë gola.

“Unë jam shumë i zhgënjyer ashtu si edhe shokët e mi. Ne pësojmë shumë gola, është e vështirë të fitosh një ndeshje kur pranon gola 3-4-5. Ne duhet të përmirësojmë lojën tonë dhe të shohim përpara”, tha sulmuesi kuqezi.

“Ne duhet të ngrihemi të gjithë së bashku dhe të bëjmë më shumë. Kur sulmon skuadra kundërshtare jemi gjithmonë në telashe dhe ata shënojnë menjëherë. Pastaj ne duhet të reagojmë por nuk është e lehtë”.

36-vjeçari në fund tha se duhet lënë pas krahësh kjo formë e dobët dhe Milan-i të ri-gjejë formën në ndeshjet e ardhshme që do të përballen me Inter-in në Serie A dhe me Tottenham-in në Ligën e Kampionëve.

“Kemi humbur soliditetin, që ishte forca jonë. Kemi pësuar pak gola dikur, por nuk dua të flas për lojtarët që mungojnë, por është e vërtetë që edhe lojtarët që janë në dispozicion kanë rëndësi, duhet të japin më shumë. Ne kemi mundësinë të ngremë nivelin me Inter-in dhe shpresoj të bëjmë më mirë në Champions League”, tha mes tjerash Olivier Giroud.

Francezi deri më tani ka kontribuar me nëntë gola dhe gjashtë asistime në 23 ndeshje në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore