Lajme

Gërvalla s’deklaron të gjitha funksionet e saja dhe pasurinë familjare


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarc, nuk ka deklaruar të gjitha funksionet që ushtron ajo në institucione vendore e ndërkombëtare.

Ajo nuk ka deklaruar se është pronare e një biznesi në Gjermani. Gjithashtu, Gërvalla nuk ka deklaruar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë.

Këto nuk janë mos-deklarimet e vetme, ajo nuk ka deklaruar as pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj e që e ka obligim ligjor ta bëjë pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), me të marrë një pozitë të lartë shtetërore.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të cilën e udhëheq vet Gërvalla, nuk janë përgjigjur pyetjeve të dërguara nga “Betimi për Drejtësi” lidhur me pozitat që mban dhe ushtron ministrja.

Gërvalla-Schwarc nuk e ka bërë deklarimin e saktë në AKK, thonë hulumtimet e bëra nga “Betimi për Drejtësi”.

Pas analizës së bazës ligjore, janë gjetur se ministrja e Jashtme dhe e Diasporës nuk ka bërë deklarimin e pasurisë në përputhje me ligjin.

Gërvalla figuron se është drejtoreshë ekzekutive në “ALBLINGUA UG”, organizatë kjo që ofron shërbime në lidhje me gjuhën shqipe dhe shërbime tjera gjuhësore, si dhe zhvillimin e aftësive për zonën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Dokumenti në gjuhën gjermani i firmës së Donika Gërvalla-Schwarz i siguruar nga Regjistri Tregtar B i Gjykatës së Rrethit të Bonit.

Ligji për Deklarimin e Pasurisë e obligon secilin zyrtar me funksione të larta publike, në këtë rast edhe ministren e Jashtme të deklarojë secilën pozitë tjetër në institucione publike ose private.

Mosdeklarimi ose deklarimi i rremë i pasurisë hyn te veprat e përcaktuara me Kodin Penal, përkatësisht nenin 430.2.

Dokumenti i përkthyer në shqip i firmës së Donika Gërvalla-Schwarz i siguruar nga Regjistri Tregtar B i Gjykatës së Rrethit të Bonit.

Veç kësaj, zëvendëskryeministrja nuk ka deklaruar pasuri të bashkëshortit dhe as të anëtarëve të tjerë të familjes, pasi kështu kërkohet në nenin 5 të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë.

Se a kanë pasuri familjarët e saj, kjo nuk dihet bazuar në deklarimin e Donika Gërvalla-Schwarz në AKK.

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës ka edhe një pozitë tjetër në një OJQ që është Fondacioni “Jusuf Gërvalla”.

Aty figuron se ushtron funksionin e drejtoreshës dhe përfaqësues së autorizuar. Edhe ky funksion bie në kundërshtim me nenin 14.1 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Ushtrimin e Funksionit Publik.

“Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës dhe veprimtarive humanitare dhe të ngjashme pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me to”.

Dokumenti i siguruar nga Sistemi Elektronik i Organizatave Joqeveritare në Kosovë. Në deklarimin e pasurisë që e ka bërë më 22 prill të këtij viti në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), Donika Gërvalla ka publikuar vetëm funksionin e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe si zëvendëskryeministre.

Nga këto pozita ka deklaruar të ardhura në shumën prej 1 mijë e 222 euro për muaj. Ka deklaruar se nga institucionet gjyqësore gjermane ka pranuar të hyra prej 27 mijë eurosh. Ka treguar se posedon tokë bujqësore dhe një shtëpi, vlera e të cilave është 120 mijë euro si dhe një veturë personale në vlerë prej 10 mijë euro.

Në deklarimin e pasurisë, Donika Gërvalla e ka publikuar edhe mbiemrin e burrit të saj Schwarc, derisa në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka publikuar vetëm Donika Gërvalla/Betimi për Drejtësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore