Lajme

Gërvalla nga Lugina: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve, akt i rrezikshëm


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës.

Ajo është takuar edhe me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e fundit atje.

Gërvalla, në një konferencë për media, ka theksuar se kjo është vizita e saj e parë në Luginë dhe se kjo shënon fillimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve.

“Kjo është vizita ime e parë në Luginën e Preshevës, është një gjest i fillimit të një procesi, të një bashkëpunimi shumë intensiv me përfaqësues institucionalë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

“Po ashtu, është një fillim i mbarë i një përkufizimi i nevojave dhe i mundësive që Kosova i ka për të ndihmuar proceset këtu, për të ndihmuar për një jetë më të mirë për qytetarët e Preshevës”.

“Kemi përkushtimin tonë për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për pasivizimin e adresave të shqiptarëve, të cilin ne e shohim si një akt të rrezikshëm dhe të padrejtë”.

“Kemi folur edhe për shkeljen e të drejtave të njeriut këtu, po ashtu edhe për faktin se shumë prej marrëveshjeve me Serbinë nuk janë implementuar asnjëherë,” ka thënë Gërvalla.

Ndërsa, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka treguar se patën një takim konstruktiv, duke shtuar se e ka falënderuar Gërvallën për angazhimin e Qeverisë së Kosovës për Luginën.

“Ishte një takim i frytshëm, takim konstruktiv. Unë e falënderova për angazhimin serioz të Qeverisë Kurti dhe Gërvallës”.

“Folëm edhe për linjën buxhetore prej 22 milionë eurove, që është ndarë nga Qeveria e Kosovës për Luginën. Ne jemi dakorduar të bashkërendohemi dhe të bashkëveprojmë në interes të të gjithë qytetarëve dhe ndërtimit të një paqeje në rajon,” ka thënë Sinani.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, është takuar me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi

Gërvalla takon deputetin Kamberi

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, është takuar me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, me të cilin ka diskutuar për çështjet politike në Luginën e Preshevës.

Kjo është bërë e ditur përmes një postimi nga ana e deputetit Kamberi.

“Në takim me ministren e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, biseduam për çështjet aktuale politike dhe domosdoshmërinë bashkërendimit të mëtejmë, rreth nevojave të Luginës së Preshevës”, ka shkruar Kamberi.

Në kuadër të takimeve ku parashihen diskutime dhe konsulta me përfaqësues të institucioneve, partive politike dhe qytetarë, ministrja Gërvalla ka takuar edhe kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi.

Gjatë këtij takimi, Gërvalla e ka siguruar kryetarin Arifi që kjo vizitë është pjesë e përkushtimit të fuqishëm institucional të Republikës së Kosovës për avancimin e pozitës së shqiptarëve të Luginës.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla me Kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi

“Në fokus të këtij takimi ishte shqyrtimi i sfidave dhe mundësive me të cilat përballen shqiptarët e Luginës, si dhe fuqizimi i bashkëpunimit mes Luginës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministrja Gërvalla theksoi se ekziston një përkushtim që të identifikohen temat dhe kërkesat për të cilat do të ofrohet përkrahje e vazhdueshme nga institucionet e Kosovës.

“Ajo ngriti çështjet që lidhen me përkrahjen financiare për projekte zhvillimore, si dhe mundësitë që të përkrahen fusha si: arsimi i lartë, kultura dhe projekte tjera”.

“Ministrja Gërvalla e siguroi kryetarin Arifi se sensibilizimi i komunitetit ndërkombëtar për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës dhe qasjen diskriminuese të institucioneve të Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës, është një temë e rëndësishme e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës”, vijon njoftimi.

Ndërkaq, Arifi ka folur për vizitën e ministres Gërvalla, në Luginën e Preshevës, duke treguar se e ka njoftuar ministren me situatën politike, ekonomike dhe sociale në Luginën e Preshevës, si dhe me problemet tjera që po i hasin shqiptarët në Serbi.

“E kam njoftuar për gjendjen që po mbretëron sa i përket pasivizimit të kërkesave të shqiptarëve të luginës, mos-zhvillimin ekonomik, mospranimin e diplomave, që të rinjtë i fitojnë në universitetet e Kosovës, problemet e mirëqenies sociale dhe mos-kyçjen e shqiptarëve të Luginës në organet e Serbisë”, tha ai.

“Gërvalla dhe Kurti na kanë premtuar që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të vendoset apo diskutohet në takimin e ardhshëm në Bruksel”, shtoi ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore