Kosova

Gërvalla: KiE të marrë sa më shpejtë një vendim për Kosovën


Donika Gërvalla dhe Frank Schwabe

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka kërkuar që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës të marrë sa më shpejtë një vendim për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Këto komente ajo i bëri pas një takimi në Strasburg të Francës me kryesuesin e Grupit Socialist, Demokrat dhe të Gjelbër në KiE, Frank Schwabe.

“Anëtarësimi i plotë dhe pa vonesa i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe vazhdimi i bashkëpunimit të shkëlqyer në rrugën e integrimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtar, ishin në fokus të takimit mes Gërvallës dhe Schwabes”, thuhet në një komunikatë për media e leshtuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Ndryshe Gërvalla, të martën, takoi edhe presidentin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Gabrielius Landsbergis, me ç’rast tema kryesore e diskutuar ishte përmbyllja e procesit të anëtarësimit të plotë të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Gjatë takimit, kryediplomatja potencoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në KiE, gjë e cila ishte konfirmuar edhe nga Asambleja Parlamentare e KiE-së.

Gërvalla, gjatë takimit, ofroi edhe bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me “qëllim që sa më parë të mund të mblidhet Komiteti i Ministrave për të marrë vendimin historik për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Kosova nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Arsyeja e mos-trajtimit të çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave ishte kushti që Franca, Gjermania e Italia artikuluan publikisht, e që Kosova refuzoi ta plotësojë me arsyetimin se kërkesa ishte absurde.

Shtetet më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian kërkuan që Kosova të procedojë tutje me Asociacionin – të paktën ta dërgojë draft-statusin e këtij mekanizmi në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore