Lajme

Gërvalla kërkon llogari nga BE-ja për mospublikimin e raportit për 24 shtatorin: Lajçaku dështoi krejtësisht dialogun


Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) të enjten, akuzoi Bashkimin Evropian (BE) për mospublikimin e rezultateve të hetimit për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës në shtator të vitit të kaluar.

Shefja e diplomacisë kosovare theksoi për televizionin publik se ndonëse Forcës së NATO-s (KFOR) dhe Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) i janë ofruar raporte, prova dhe dëshmi të aktit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023, nuk ekziston një reagim serioz nga BE-ja, ndërsa shtoi se BE-ja ende ka iluzione se Serbia do të largohet nga krahët e Rusisë.

“KFOR-i dhe EULEX-i i kanë të gjitha faktet dhe këtu shtrohet pyetja: Pse BE-ja ende nuk e merr guximin t’i japë emërtimin e merituar asaj çfarë ndodhi në Banjë. Nuk mund të jenë institucionet e Kosovës përgjegjëse pse disa persona në BE nuk marrin guximin ta thonë të vërtetën… Iluzionet rreth përkëdheljeve të Serbisë rrezikojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.

Gërvalla vendosi në dyshim edhe punën e Emisarit Special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, të cilit ia faturoi të gjitha dështimet në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e BE-së. Banja, shtoi Gërvalla, është dëshmia më e mirë.

“Banja është dëshmia më e mirë se Lajçaku e ka dështuar të gjithë procesin. Ndërmjetësuesi duhet të jetë serioz në të gjitha inciativat. Lajçaku ka marrë një detyrë përsipër për të cilën nuk paguhet pak nga paratë e taksapaguesve të BE-së. Lajçaku do duhet të kishtë një strategji dhe nuk duhet t’i injoronte sinjalet gjatë rrugës”, shtoi ndër të tjera kryediplomatja kosovare.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një prononcim për rrjetin evropian të lajmeve “Euractiv” të hënën e kësaj jave, njoftoi se institucionet evropiane ende nuk e kanë pranuar raportin përfundimtar të përgatitur nga autoritetet kosovare për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

“Sa i përket raportit përfundimtar për sulmin në Banjë, të përgatitur nga Kosova, nuk ka asgjë të re. Nuk e kemi marrë ende raportin përfundimtar”, theksoi Stano, ndonëse Qeveria e Kosovës pretendon se tashmë u kanë ofruar institucioneve evropiane prova dhe dëshmi për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veriun e banuar me shumicë serbe.

Duke qenë se në këtë fazë, asnjë prej shteteve kryesore perëndimore nuk ka bërë publike rezultatet e hetimeve për sulmin paramilitar të 24 shtatorit, zyrtarë institucionalë dhe vëzhgues të huaj kanë kërkuar nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare të përgjigjen dhe t’i prezantojnë të gjeturat e hetimeve, për shkak se autoritetet serbe mohojnë përfshirjen në këtë sulm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore