Lajme

Gërvalla: I mbështesim plotësisht veprimet e partnerëve ndërkombëtarë kundër grupit të armatosur Huth


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Pasi që rebelët jemenas Huthi janë zotuar për hakmarrje të ashpër pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania sulmuan ata nga ajri dhe deti, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka deklaruar se i mbështesin plotësisht veprimet e partnerëve ndërkombëtar.

Përmes një komunikate për media është thënë se vetëm së bashku mund të krijojmë një botë të qëndrueshme.

“Armiqtë e paqes, stabilitetit, sigurisë, demokracisë, rendit botëror dhe civilizimit janë armiq të të gjithëve. Vetëm së bashku mund të arrijmë që t’i mundim e të krijojmë një botë të qëndrueshme, e cila prioritet ka paqen, bashkëjetesën, tolerancën dhe përparimin në një botë, gjithnjë e më të globalizuar”, ka shkruar Gërvalla.

Ndërsa, në komunikatën e lëshuar nga MPJD-ja është thënë se veprimet e grupit Huthi po pengojnë edhe qarkullimin e lirë të tregtisë dhe mallrave.

“Republika e Kosovës mbështet plotësisht veprimet proporcionale ushtarake të partnerëve tanë ndërkombëtarë kundër grupimit të armatosur Huth, i cili përveç që po kërcënon stabilitetin në Lindje të Mesme përmes sulmeve kundër anijeve komerciale, po pengojnë seriozisht edhe qarkullimin e lirë të tregtisë dhe mallrave, gjë që rrjedhimisht po krijon pasoja negative për ekonominë dhe fushat e tjera”.

Ndërsa, sa i përket veprimet të SHBA-së kanë theksuar se synimi është që ruhet rendi ndërkombëtar.

“Veprimet ushtarake të partnerëve tanë, të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Lindjen e Mesme, kanë synim ruajtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe këto veprime rezultuan të domosdoshme pas shtimit të sulmeve kundër paqes dhe stabilitetit”.

“Republika e Kosovës, si një vend thellësisht demokratik, rreshtohet qartë në krahë të partnerëve të saj strategjik në përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë”.

Në Sada, që është bastion i rebelëve Huthi në veriperëndim të Jemenit, qindra njerëz u mblodhën të premten. Turma thërriste disa herë sloganin Huthi: “Zoti është më i madhi; vdekje për Amerikën; vdekje Izraelit; mallkoni hebrenjtë; fitore Islamit”.

Huthit e Jemenit, të lidhur me Iranin, po luajnë një rol përshkallëzues në konfliktin në Lindjen e Mesme, duke sulmuar anijet në Detin e Kuq, duke gjuajtur raketa e duke kryer sulme me dronë ndaj Izraelit, në një fushatë që ata thonë se synon të mbështesë palestinezët në luftën në Gazë.

Roli i rebelëve Huthi ka shtuar rreziqet rajonale të konfliktit, duke vënë në rrezik linjat detare përmes së cilave transportohet shumica e naftës së botës dhe ka rritur shqetësimet në mesin e shteteve në Detin e Kuq, përderisa raketat dhe dronët e rebelëve Huthi fluturojnë drejt Izraelit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, kishte njoftuar më 19 dhjetor për krijimin e një operacioni shumëkombësh për të mbrojtur tregtinë në Detin e Kuq në përgjigje të sulmeve të rebelëve Huthi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore