Kosova

Gërmimet në Kizhevak priten të rinisin në fund të muajit mars


Gërmimet për mbetjet mortore në Kizhevak të Serbisë janë ndërprerë në fund të vitit të kaluar për shkak të kushteve atmosferike me rekomandim të ekspertëve ligjorë, dhe këto gërmime do të fillojnë në fund të muajit mars.

Kështu bëri të ditur për Albanian Post, udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara.

“Diskutimi ka qenë që gërmimet të rinisin nga fundi i marsit dhe fillimi i prillit, varësisht prej kushteve, sepse terreni është shumë specifik, andaj kurdo që kushtet e motit të përmirësohen dhe ekspertët tanë rekomandojnë që të fillojmë me punimet në këtë lokacion atëherë do të vazhdojnë gërmimet”, ka thënë Gara.

Mostrat nga mbetjet mortore që janë zhvarrosur në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë gjatë vitit të kaluar, janë dërguar për analizë të ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, ICMP.

“Mostrat nga mbetjet mortore janë dërguar për analizë të AND-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, ICMP, dhe ne jemi në pritje të rezultatit. Kthimi i analizave varet nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur por kjo varet edhe prej mostrave që dërgohen, kualitetit të mostrave, mënyrës së procesimit”, ka sqaruar ai.

Tutje ai ka thënë se janë në pritje të rezultateve jo vetëm të mostrave të Kizhevakut por edhe “të mostrave të mbetjeve mortore që janë gjetur ne territor të Kosovës”.

Mostrat e trupave të gjetur në Kizhevak janë dërguar nga ekspertët serbë në ICMP por “me prezencën e ekspertëve tanë të cilët gjatë gjithë kohës kanë qenë të pranishëm në lokacion”.

Sipas tij, në bazë të kërkesave dhe analizave të bëra sipas të gjitha gjasave bëhet fjalë për viktima shqiptare të vrarë në luftën e fundit në Kosovë të rrëmbyer e të zhdukur.

Ndërsa sipas drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, nuk është marrë ende asnjë vendim.

“Presim takim me palën serbe dhe aty do të merret vendimi për vazhdimin e punës në Kizhevak të Serbisë”, ka thënë për Albanian Post, Arsim Gërxhaliu.

Ai ka sqaruar se pas takimit me palën serbe do të kuptojnë nëse janë kthyer analizat për të cilat ai ka thënë se “do t’iu njoftojmë”.

Ndërsa sa i përket gjetjes së mbetjeve mortore në varrezat e qytetit të Gjakovës, në lagjen e quajtur “Brekoc”, të ushtarit me uniformë dhe emblemë, Gërxhaliu ka thënë se “procedura e ekspertizës nga mjekët ligjor është kryer dhe jemi ende në pritje të analizës për identifikim në baza shkencore”.

“Ky rast ende është në procedurë”, shtoi ai.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 rezultuan rreth 6 mijë e 500 persona të zhdukur.

Që nga ajo kohë u kryen zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri me tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë ende vazhdojnë të rezultojnë të pagjetur rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore