Jetesë & Stil

Georgina Rodriguez rrëfen për jetën e saj të varfër në dokumentar


E kush do ta mendonte se nga një ish-shitëse, tanimë do të bëhej e dashura e një prej futbollistëve më të famshëm dhe më të paguar në botë? Po flasim pikërisht për yllin spanjoll, Georgina Rodriguez.

Para disa kohëve, modelja e njohur si rrallëherë ka dhënë një intervistë për “The Sun on Sunday”, ku ka folur mbi lidhjen e saj me Cristiano Ronaldon.

Influencuesja e famshme e Instagram-it, së shpejti do të sjellë një dokumentar të ri në gjuhën spanjolle për jetën dhe karrierën e saj si një yll i mediave sociale, nga “Netflix”.

27-vjeçarja e bëri të ditur këtë nëpërmjet një postimi në Instagram, duke thënë se ishte shumë e emocionuar dhe e lumtur për projektin e ri.

Georgina do të tregojë pas kamerave të gjithë jetën e saj, nga jetesa në një prej lagjeve më të varfra të provincës spanjolle Haca, burgosja e të atit për shkak se ishte pjesë e një grupi që merrej me kontrabandë kanabisi nga Maroku në Spanjë, si dhe zhvendosja në moshën 18-vjeçare në Londër për të ndjekur ëndrrat e saj.

Atje ajo studioi gjuhën angleze, merrte mësime vallëzimi, ndërsa punonte edhe si kameriere për të siguruar jetesën.

Ndalesa tjetër ishte Madridi, fillimisht duke punuar si shitëse në shtëpinë italiane të modës së lartë Gucci.

Temperamenti i saj latin dhe silueta e përsosur e bënë atë shumë shpejt të dallohej në industrinë e modës si modele, duke krijuar bashkëpunime me revista të tilla si “Grazia”, “Men’s Health”, “Women’s Health”, “Glamour”, ndërsa ajo ishte gjithashtu fytyra kryesore e fushatës së të brendshmeve dhe bikinive të “Yamamay”.

Rikujtojmë se dyshja e njohur Cristiano dhe Rodriguez kanë një fëmijë së bashku, vajzën 3-vjeçare Alana Martina, por ajo rrit edhe tre fëmijët e tjerë të Ronaldos, binjakët e birësuar Eva dhe Mateo, si dhe djalin e madh, Cristianinho 10 vjeç.

Georgina është fansja më e madhe e Cristiano-s dhe këtë e shpreh me dedikime të vazhdueshme në rrjetet sociale, si dhe me praninë e saj në pjesën më të madhe të ndeshjeve të futbollistit.

Çifti ende nuk e kanë kurorëzuar marrëdhënien e tyre, edhe pse është përfolur se Cristiano i ka propozuar Georgina-s me një unazë me vlerë 615 mijë paundësh dhe së shpejti pritet të ketë një dasmë.

Dyshja e famshme postojnë shpesh foto me njëri-tjetrin në rrjete sociale, në shoqërinë e fëmijëve të tyre dhe duken përherë e më shumë të lumtur.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore