Shqipëria

Gazi mund të taksohet më shumë nga janari 2022


Nga janari i vitit 2022, gazi për përdorim të përditshëm do të taksohet me 6 lekë për litër, sipas ndryshimeve të propozuara nga Qeveria në ligjin për akcizat, i cili do të konsultohet edhe me grupet e interesit.

Sipas relacionit për projektligjin, ky vendim vjen pas abuzimeve të bëra në treg. Me pretekstin se gazi po importohej për qëllime konsumi vetjak, ai është përdorur më pas për karburant automjetesh.

Taksimi i gazit që shkon në përdorim për automjetet, është me 8 lekë për litër. Nëse ndryshimi i ri kalohet në Parlament, atëherë edhe ai i konsumit do të përafrohet me taksimin e atij për automjete.

Parashikimi i fitimeve të buxhetit të shtetit me këtë ligj, është rreth 375 milionë lekë.

Ndërkaq, përballja me krizën energjetike, ku përfshihet edhe gazi i lëngshëm, mund ta rrisë edhe më tej çmimin e tij.

Pikë shitje gazi në Shqipëri

Muajt e fundit rritje e çmimit të tij është parë në tregun shqiptar, por ajo nuk ka qenë e krahasueshme me një rritje potenciale në rast krize globale, ku çmimi pritet të shkojë edhe tre herë më shumë se ai aktual.

Nga ana tjetër, një propozim i Qeverisë ka qenë ai i heqjes së përjashtimit të taksave për karburantin e përdorura nga jahtet. Nëse hyn në fuqi, ligji parashikon taksim me 65 lekë për litër për jahtet.

Njëjtë si gazi, edhe ky projektligj synon shmangien e abuzimeve të kryera me karburantet për mjetet lundruese. Sipas relacionit, mjetet për qëllime turistike, furnizohen me karburant në zonat e lira doganore.

Ndërsa, çmimi i karburantit, pritet gjithashtu të ketë rritje të çmimeve në tregjet globale. Për këtë arsye, rritje e mundshme pritet edhe në Shqipëri, duke qenë se vendi varet nga importi i naftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore