Lajme

Gazetarët protestojnë për “Klan Kosovën” dhe fjalën e lirë


Pamja e Ekranit/Demokracia vdes në errësirë

Me moton “Demokracia vdes në errësirë”, gazetarët dhe një pjesë e shoqërisë civile në Kosovë do t’ia mësyjnë sheshit kryesor të Prishtinës për të protestuar kundër një pushteti politik që çdo ditë e më shumë po e përshkallëzon sulmin ndaj tyre dhe po dështon të mbrojë lirinë dhe pluralizmin mediatik.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, këtë të hënë, për herë të parë që nga përfundimi i luftës, do të mbajë protestë paqësore në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit “Klan Kosova” nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Protesta do të fillojë në ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe ka për qëllim kundërshtimin e përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të mbyllur në mënyrë të paprecedentë televizionin më të madh privat në një vend që paraqitet si “demokracia më e zhvilluar” në rajon dhe që ruan ende një peizazh mediatik të rrallë.

Pothuajse të gjitha stacionet private televizive në vend kanë treguar solidaritetin e tyre me homologët nga “Klan Kosova”, duke transmetuar një mesazh në një sfond të zi me shprehjen “Demokracia vdes në errësirë”, që në vitin 2017 ishtë bërë motoja zyrtare e gjigantit mediatik amerikan “The Washington Post”.

Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njoftoi të premten se kishte refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit dhe për më tepër, ministria ka dorëzuar edhe kallëzim penal kundër televizionit.

Arsyetimi i Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) për pezullimin e certifikatës së biznesit, ka qenë se në dokumentet e regjistrimit të kompanisë në fjalë, qytetet e Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, të shkruara gjithashtu në gjuhën serbe, gjë që në fakt përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës së Kosovës.

Ky vendim është kundërshtuar rreptë nga shtetet e QUINT-it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe – të cilët edhe ia kanë kujtuar ekzekutivit kosovar se “liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike”.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të ‘Klan Kosovës’ është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët, ndërsa kanë tërhequr vërejtjen se “revokimi i licencës së çdo medie është një hap domethënës që kërkon shqyrtim rigoroz”.

Edhe një numër i madh i organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen lirisë së medieve dhe grupe të gazetarëve kanë dënuar përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të cenuar punën e medieve kosovare, sepse vetëm qeveritë e shtrëngimit (Coercive Power) përpiqen të ndërtojnë kredibilitet përmes ndikimit shtrëngues.

Për Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, refuzimi i ankesës së televizionit për rikthimin e licencës së operimit, përveç se është tregues se me Kosovën udhëheq një “qeveri e pamëshirshme”, vendimi është “qartësisht një paralajmërim për mediat e tjera të pavarura”.

“Mesazhi është shumë i qartë: qëllimi është të frikësohen të gjitha mediet duke iu treguar atyre se qeveria ka fuqinë të mbyllë televizionin kryesor privat të vendit brenda pak javësh. Është një strategji terrori e ngjashme me atë që vërejmë në Rusi dhe Bjellorusi”, ka nënvizuar sekretari i EFJ-së.

E përkundër kritikave se qeverisja e tij po shkon në anën e autoritarizmit, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se është i vetëdijshëm që “liritë e medias janë jetike: një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj demokracisë”, porse sipas tij “demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare”.

Derisa televizionit “Klan Kosova” po i ecën koha dhe mund të detyrohet të ndalojë transmetimin së shpejti, të njëjtët kanë paralajmëruar se do të ushtrojnë të drejtën ligjore për të kërkuar anulimin e “vendimit të kundërligjshëm” dhe “do prezantojë të gjitha provat dhe shkeljet e njëpasnjëshme të MINT-it dhe ARBK-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore