Lajme

Gati për GAT


Galeria e Artit Tiranë

Prej një viti punohej për hapjen e saj, por qytetarëve të Tiranës nuk do t’u mjaftojë një frymë për ta shijuar.

Galeria e Artit Tiranë është çelur zyrtarisht mbrëmjen e 5 nëntorit, me një ceremoni të veçantë të organizuar në ambientet e godinës së Prefekturës së Tiranës, por që shumë shpejt mund të referohet për vetë Prefekturën si godina e GAT-it.

Drejtuesi i qendrës së re kulturore në kryeqytet të paktën, Abaz Hado, pikërisht këtë mendim ka.

Në një fjalë të shkurtër për publikun e gjerë të interesuar mbi ngjarjen artistike në zemër të Tiranës, ai theksoi mbi vështirësitë e hasura për krijimin e GAT-it. Por, njëkohësisht, edhe kënaqësinë e marrë me përmbylljen e punës së madhe.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nga ana tjetër, atë çfarë e dëshiron më së shumti për GAT-in, është kthimi në një hapësirë jo vetëm artistike-kulturore, por edhe sociale. Mbi të gjitha, duke parë çdo mangësi që kanë lënë në shoqëri kohët e vështirë të pandemisë.

Një pandemi, e cila dy artistët më në vëmendje të ekspozitës hapëse, i shoi!

Skulpturë nga artisti Arben Bajo, ekspozuar në GAT

Skulpturat e dergjura të Arben Bajos dhe pikturat abstrakte të Mustafa Arapit kishin të drejtuar për nga to jo vetëm ndriçuesit e rinj të galerisë, por edhe vështrimet e vjetra të publikut artdashës kryeqytetas.

E kornizuar në tri ambiente të veçuara, por përbashkuese, ideja kryesore është ajo e shfaqjes së një stilistike më dinamike të artit bashkëkohor shqiptar.

Pra, ndryshe nga Galeria Kombëtare e Arteve, ajo që u la të kuptohet për GAT-in është se do të jetë i gatshëm të thyejë edhe tabu dekadente të ekspozitave, duke dhuruar hapësira për imazhet e reja që frymojnë në bashkësinë kulturore shqiptare.

Piktura nga artisti Mustafa Arapi, ekspozuar në GAT

Ashtu si me një vështrim buzë rrugës, një pjesë e mjediseve të brendshme mund të vëzhgohen së jashtmi në GAT, falë pozicionimit të godinës në një prej rrugëve më të vjetra të Tiranës, po ashtu, me një vështrim nga brenda, mund të kullohet në mendje dinamika e një jete të (sh)frenuar kryeqytetase, e cila tashmë pranë zhurmës së makinave – apo edhe ambulancave ende në një epokë pandemike, të cilat ndërprenë jo pak herë përshëndetjet e rastit – çel ritmin e ri kardiak të një qyteti që gëlon jetë…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore