Lajme

Gastronomët: I jemi rikthyer orarit të rregullt, por duhet kohë të marrim veten nga humbjet e pandemisë


Ilustrim

Data 1 mars ka shënuar hyrjen në fuqi të masave të reja kundër COVID-19, të miratuara nga Qeveria e Kosovës – kësisoj, gastronomia do të funksionojë me orar të rregullt, vetëm se me 50% lejim të shfrytëzimit të hapësirës.

Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica, ka treguar se funksionimi i kësaj sfere do të varet nga ligji për tregti të brendshme, ndërsa do të operojnë njësoj si para pandemisë.

Arian Vranica – Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

“Funksionimi i bizneseve do të varet në bazë të ligjit për tregti të brendshme, pra do të funksionojmë si para pandemisë. Gjatë sezonit të dimrit do të funksionojnë bizneset deri në ora 23:00, për restorantet, lokalet e gjitha këto”, ka thënë Vranica për KP.

“Për pjesën e klubeve të natës dhe sallave të dasmave, ato funksionojnë gjatë sezonit të dimrit deri në ora 03:00, ndërsa të dyja gjatë sezonit të verës gastronomitë do të jenë deri në ora 00:00, ndërsa për klube deri në 05:00, por gjatë sezonit të verës”, tha ai.

Ndërkaq, kur në pyetje vihen dëmet e pësuara përgjatë periudhës se pandemisë, Vranica, thekson se ato kanë qenë të mëdha në numër dhe nevojitet kohë që gjerat t’i rikthehen normalitetit.

Sipas tij, bazuar në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), brenda Republikës së Kosovës, tanimë operojnë 2 mijë biznese më pak.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

“Dëme ka pasur jashtëzakonisht shumë, ne të gjithë jemi në dijeni, por është evidente në bazë të statistikave të Agjencisë së Statistikave yë Kosovës, Administratës Tatimore të Kosovës. Të gjitha këto të dhëna që tregojnë dhe dëshmojnë se gastronomia prinë në raport me çdo industri tjetër, sa i përket dëmeve të shkaktuara si pasojë e vendimeve të Qeverisë dhe pandemisë, dhe nëse i referohemi të dhënave, ne dimë që vetëm me mbylljen në fillim, ka qenë diku 64% në rënien e qarkullimit”, ka thënë ai.

“Në bazë të dhënave të ATK-së në vitin 2019, kemi pasur 8104 biznese të regjistruara në veprimtarinë e gastronomisë, ndërsa në vitin 2021 i kemi 6195 biznese, përafërsisht 2000 biznese më pak… Në aspektin e punëtorëve, realisht ka pas humbje, por te aspekti i formalitetit ka pasur rritje dhe pasqyrohet kinse ka rritje të numrit, por nuk ka rritje, ani pse nëse i krahasojmë të dhënat kanë qenë diku rreth 13.800 punëtorë, atëherë kishte më shumë biznese në vitin 2019”, ka shtuar Vranica.

Ani pse masat kundër COVID-19 tashmë janë hequr, Vranica, zbulon se sipas një hulumtimi që kanë bërë, më shumë se gjysma e bizneseve të gastronomisë duhet të punojë mbi një vit, për ta rimarrë vetën.

“Ka prapë masa megjithatë nuk është një liri e plotë, ende nuk e kemi mbërri atë pikë. Në bazë të një hulumtimi që kemi bërë, diku mbi 50% të bizneseve të gjithë gastronomisë në përgjithësi, ju duhet më shumë se një vit të punojnë në kushte normale për të rimarrë veten, andaj duhet që të kontribuojë edhe shteti me masa specifike në mënyrë që të dalim më shpejt nga kjo gjendje dhe të mos kemi kriza”, ka thënë Vranica.

Në kuadër të masave të reja kundër COVID-19, Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga data 7 mars të lejohet veprimtaria e klubeve të natës, si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore deri në 50% të kapaciteteve.

Po ashtu, Qeveria ka vendosur edhe për largimin e orës policore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore