Lajme

Gastronomët e Kosovës paralajmërojnë protesta


Ilustrim

Shoqata e Gastronomëve në Kosovë ka paralajmëruar protestë për shkak mos konsultimit të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës për marrjen e masave të reja anti-COVID.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Veton Zuka, ka thënë se për t’i realizuar kërkesat e tyre, si opsion të vetëm po e shohin protestën por jo në grumbullim të masës në mënyrë që mos të rrezikohet jeta e qytetarëve nga përhapja e Coronavirusit.

“Duke e marrë parasysh gjendjen, nuk kemi opsion të protestës klasike e grumbullimit të masës. Si opsion mund të jetë largimi i arkave fiskale edhe dërgesa deri në oborrin e qeverisë ose çka do tjetër, por është mbetur me u definuar se çfarë proteste do të jetë, por jo grumbullim të masës”, ka deklaruar Zuka për Albanian Post.

Ai ka treguar se për masat e fundit anti-COVID nuk janë marrë parasysh rekomandimet e tyre i shoqatë.

“Në të gjitha takimet e fundit që i kemi pasur nuk janë konsultuar fare me ne edhe pse gjithmonë i kemi dhënë rekomandimet tona dhe daljen nga kjo krizë. Mirëpo, në asnjë mënyrë, sidomos në këto takime e fundit nuk janë marrë parasysh kërkesat tona dhe opsionet tona”, ka thënë Zuka.

Ai ka treguar se në takimet që i kanë zhvilluar me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë kërkuar që të jetë prezent edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Në çdo takim që na ka thirrur Ministri Vitia, kemi kërkuar që në të njëjtën kohë të është prezent edhe Ministri Murati, dhe në herën e fundit nuk ka qenë”.

“Kemi kërkuar takim vetëm me Ministrinë e Financave që të nxirren modulet dhe problematikat e përgjegjësisë për dëmet financiare dhe opsionin përmes ATK-së për lirimin e taksave dhe për shumë gjëra tjera, por nuk kemi marrë përgjigje për takim”, ka thënë Zuka.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Veton Zuka

Gastronomët kanë disa kërkesa për qeverinë e udhëhequr nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kërkesat tona janë për pagesat e punëtorëve, lirimi i TVSH-së për pesë vite tjera ose vazhdimi që është tani me tetë për qind, pagesa e qirave, për një periudhë e sidomos në këtë periudhë të mbylljes”.

Masat e fundit të Qeverisë së Kosovës, kanë kufizuar veprimtarinë e gastronomisë, baret dhe restorantet mund të shërbejnë vetëm nëpër tarraca, por jo edhe në ambientin e brendshëm dhe atë vetëm deri në ora 21:30.

Ndërsa, lokaleve të natës dhe sallave të dasmave u është ndaluar veprimtaria tërësisht.

Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës.

“Ndalohet shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 për qind e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet”.

Situata epidemiologjike në vend

Gjatë ditës së mërkurë në Kosovë 12 persona e kanë humbur jetën, ndërsa janë raportuar 410 raste të reja me COVID-19.

Kurse numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 22 mijë e 671.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID-19, është gjithsejtë 704 mijë e 318, ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 385 mijë e 297.

Kurse nga fillimi i vaksinimit në Kosovë janë dhënë gjithsejtë 1 milionë 89 mijë e 615 vaksina të administruara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore