Lajme

Ganiu ua kujton kritikëve në Maqedoninë e Veriut se Demaçi ishte fitues i çmimit “Saharov” për paqe


Albin Kurti dhe Visar Ganiu

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, në një prononcim për Radio Televizionin e Kosovës, ka thënë se pakënaqësitë e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, lidhur me mënyrën e riemërtimit të një rruge në Shkup që tash mban emrin e veprimtarit Adem Demaçi, janë të pakuptimta dhe të pabaza.

Ai ka theksuar se riemërtimi i kësaj rruge i përmbushë të gjitha rregullat ligjore dhe mbi të gjitha është vendosur me shumicë votash në Kuvendin Komunal të Çairit, ndërsa ka shtuar se emri i ri rrugës tashmë figuron në gazetën zyrtare dhe në platformën e hartave të gjigantit amerikan të teknologjisë “Google”.

Pendarovski, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se riemërtimi i rrugës “Adem Demaçi” në Komunën e Çairit është në kundërshtim me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të Maqedonisë së Veriut, por kryetari Ganiu ka nënvizuar se kjo është bërë konform ligjeve.

Ndër të tjera, ai ka kujtuar se veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i cili vuajti 28 vjet burg politik në ish-Jugosllavi, kishte qenë fitues i Çmimit Saharov (1991) – nderimi më i lartë që Bashkimi Evropian ua bënë personaliteteve botërore për lirinë e mendimit dhe përpjekjeve siperane për të drejtat e njeriut dhe paqen në botë.

“Çuditë fakti që pothuajse të gjitha partitë kanë reaguar për emërimin e asaj rruge. Pretendojmë që jemi rrugës për Evropë dhe duhet t’i përmbushim të gjitha standardet evropiane. E në anën tjetër, harrojmë se Parlamenti Evropian vetë Adem Demaçit i ka dhënë çmimin Saharov për paqe”, ka nënvizuar Ganiu.

E në përurimin e kësaj rruge në Komunën e Çairit të banuar me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prezenca e të cilit nxiti reagime të shumta jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe ishte konsideruar si përpjekje për të përçarë faktorin shqiptar atje.

Beteja e Kurtit për “primatin e liderit mbarëkombëtar”, nxit “përçarje” në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore