Lajme

G20 aprovon taksën historike mbi “super bizneset”


Tatimi prej 15% mbi bizneset e mëdha është fakt dhe krerët e vendeve të G20e kanë arritur unanimisht paktin, i cili do të shohë super korporatat si Amazon, Tesla, Microsoft apo Meta, të paguajnë një pjesë të mirë të fitimeve të tyre si tatim ndaj shteteve ku operojnë.

Shqetësimeve se kompanitë e mëdha u shmangen taksat nëpërmjet juridiksioneve të veçanta, do t’ju vijë fundi tashmë.

Data e fillimit të veprimit të saj, pritet të jetë janari i vitit 2023. Ndërsa firmëtare, përtej vendeve të G20, janë në tërësi 130 shtete në botë. Pra, mbi gjysma e globit.

Krerët e vendeve të G20 në Samitin e Romës

“Kjo që po bëjmë këtu sot, është një arritje e madhe në një çast kritik”, iu drejtua homologëve Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen. “Po i japim fund një gare të dëmshme me korporatat dhe sistemin e tyre të taksimit”.

Dy të vetmit të cilët mungonin në samitin e mbajtur në Romë, ishin presidenti kinez, Xi Jinping dhe ai rus, Vladimir Putin.

Pavarësisht kësaj, ata e aprovuan marrëveshjen nëpërmjet videokonferencës.

Çfarë pritet nga ky taksim?

Shqetësimi se multinacionalet e mëdha po rishpërndajnë të ardhurat për të shmangur taksat, është arsyeja pse u mor ky juridik. Ato do të taksohen me minimalisht 15%.

Sërish, kritikët mendojnë se kjo shifër është e ulët dhe do të ketë shmangie prej saj.

Kompania Amazon

Sasia e të ardhurave shtesë në buxhetet e shteteve të parashikuara nga kjo marrëveshje, është përafërsisht 150 miliardë dollarë në vit. Kjo gjë do të ndihmonte edhe në rimëkëmbjen e ekonomive nga COVID-19.

Dy kategoritë që përfshihen janë kompanitë që fitojnë mbi 20 miliardë euro dhe ato të cilat kanë marzhe fitimesh mbi 10%.

Por arsyeja e vërtetë e kësaj marrëveshje, mendohet se është fillimi i një sistemi të standartizuar dhe digjitalizuar global.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore