Lajme

Funksionalizohet Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë


Të shtunën e 17 shkurtit është funksionalizuar Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para në këtë instituti pjesëmarrës ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndër të tjera tha se me funksionalizimin e këtij instituti është përmbushur një obligim qeveritar.

Kurti ka ftuar të gjithë ata që kanë materiale të mbledhura mbi krimet e ndodhura gjatë luftës t’i dorëzojnë këtij instituti, i cili më pastaj do t’i arkivojë të njëjtat.

“Këtë vit festojmë 25-vjetorin e çlirimit dhe 16-vjetorin e pavarësisë. Po bëjmë më të mirën që të adresojmë atë që ka ndodhur. Funksionalizimi i këtij instituti është një obligim që po përmbushet. Për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë kemi themeluar Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë”, ka thënë ai.

“Krahas institucioneve shtetërore, nga sot dokumentuesit dhe hulumtuesit e pavarur, shoqëria civile, ekspertët e jashtëm. Mediat, gazetarët e qytetarët kanë institutin që i pret materialet e dëshmitë e mbledhura. Këto materiale do të arkivohen, do t’i shërbejnë institutit në hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës”, ka theksuar Kurti.

Drejtori i Institutit, Atdhe Hetemi, tha se ceremonia e sotme nënkupton jo vetëm një hap në dokumentin e luftës, por edhe një zotim për të mos i harruar viktimat e luftës.

“Dokumentet që pranojmë sot do të jenë një themel për të dërguar një mesazh që paqja dhe drejtësia janë vlerat që shoqëria i mbron”, ka thënë ai.

E kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës (KKAFZHK), Ahmet Grajçevci, tha se për 25 vite kanë pasur vështirësi të mëdha në mbledhjen e dëshmive e në ruajtjen e tyre.

Ai tha se më themelim e këtij Instituti tashmë kanë një derë hapur.

“Dua të them që rrugëtimi ynë për 25 vite ka qenë shumë i vështirë në mbledhje e dëshmive, në ruajtjen e materialeve por sot e kemi një derë të hapur. Shumë dëshmi e fakte na kanë humbur duke ndërruar zyre”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore