Lajme

FSK-ja trajnohet nga Policia Ushtarake Kroate për menaxhimin e situatave të rrezikshme


Trajnimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës me Policinë Ushtarake Kroate.

Policia ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), është trajnuar të premten nga ekipi mobil nga Policia Ushtarake Kroate për të pasur rritje në ngritjen profesionale.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga FSK-ja.

“Pjesëmarrësit u trajnuan në teknika të avancuara për përdorimin e armëve në situata të ndryshme, duke përfshirë lëvizje të shpejta dhe precize. Instruktorët kroatë sfiduan pjesëmarrësit me skenar real dhe të avancuar për të trajnuar ata në reagime të shpejta dhe efektive në situata emergjente”.

Ky trajnim sipas FSK-së do të shërbejë edhe për menaxhimin e situatave të rrezikshme.

“Realizimi i trajnimit ka ndikuar në ngritjen profesionale të Policisë Ushtarake të FSK-së duke forcuar aftësitë e pjesëtarëve pjesëmarrës në detyra të mbrojtjes së afërt, menaxhimin e situatave të rrezikshme, si dhe ndërveprimin me Policinë Ushtarake Kroate”, thuhet në komunikatën e FSK-së.

Gjatë kësaj jave në kuadër të planit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Kroacisë, është realizuar edhe “Trajnimi për Mbrojtje të Afërt”.

Më 11 mars, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), kishte realizuar ushtrimin fushor “Fortuna 11”, kjo me qëllim që të jetë e përgatitur për fazat e tjera të zhvillimit dhe ngritjes profesionale.

Ndërsa, më 1 mars, edhe Policia e Kosovës së bashku me FSK-në kishte kryer trajnim të përbashkët për përgatitje fizike për realizimin e detyrave në kuadër të njësive të tyre.

Ky ishte njëri ndër trajnimet e para të përbashkëta mes FSK-së dhe Policisë së Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte thënë se në operacionin “Interflex”, janë trajnuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), rreth 34 mijë rekrutë.

Maqedonci, kishte bërë të ditur se gjatë muajit janar kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), do të zbarkojë në Mbretërinë e Bashkuar për operacionin INTERFLEX.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kishte ofruar gatishmëri që të angazhojë instruktorë për të ndihmuar procesin e stërvitjes së ushtrisë ukrainase në kuadër të këtij operacioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore