Lajme

Freedom House: Refuzimi i Serbisë për ta njohur Kosovën, sfidë e madhe në demokratizim


Ilustrim

Në raportin e organizatës ndërkombëtare, Freedom House, për nivelin e demokracisë në disa rajone të Evropës dhe Azisë, thuhet se pavarësisht një viti të turbullt për shoqërinë civile dhe qytetarët e Kosovës, pozita në rrugën drejt demokratizimit ka mbetur e njëjtë me atë të vitit të kaluar.

Në këtë raport, ndër pengesat kyçe në rrugën e Kosovës përpara janë theksuar problemet me Serbinë.

Në vitit 2023, prej 1 deri në 7 pikë, Kosova vazhdon që t’i ketë 3.29 pikë.

Ndryshim pozite në renditje nuk kanë pasur as dy vende tjera të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria dhe Kroacia, ndërsa Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina kanë shënuar rënie në rrugën drejt demokratizimit.

Përveç Kroacisë, vendet tjera të Ballkanit janë në listën e vendeve me regjim hibrid të qeverisjes, sipas vlerësimeve të Freedom House.

Mirëpo, Kosova përmendet si vend me regjim hibrid të drejtuar kah demokracia, Serbia kah autokracia, ndërsa Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina si të përziera në të dyja anët.

Protestat në Veri, incidenti në Banjë, marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Sa i përket pjesës për Kosovën, raporti përmend faktin se në vitit 2023, mospajtimet me Serbinë kanë hyrë në një fazë të re të përshkallëzimit të tensioneve.

“Protestuesit serbë të Kosovës janë përleshur dhe i kanë plagosur 30 trupa të NATO-s në maj, dhe serbë të armatosur kanë kryer sulm në shtator, në të cilin janë vrarë katër persona, përfshirë një zyrtar policor”, theksohet në raport.

Aty janë përmendur protestat e dhunshme të serbëve lokalë në tri komunat Veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe – në maj të vitit të kaluar, po ashtu edhe sulmi terrorist në Banjë të Zveçanit, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Për këtë sulm, Kosova e ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë, derisa Beogradi i ka mohuar akuzat, ndonëse përgjegjësinë e ka marrë kryeterroristi Milan Radojiçiç, njeri i besuar i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Në shumë vende, por sidomos në ato të Ballkanit Perëndimor, liderët politikë po e shfrytëzojnë fokusin më të madh në sigurinë rajonale si arsyetim për t’i përmbysur institucionet demokratike dhe për t’i shmangur normat demokratike”.

Në raport është përmendur, po ashtu se Qeveria aktuale në Kosovë, e cila e ka nisur udhëheqësinë më 2021, “është përpjekur që ta largojë vendin prej trashëgimisë së konfliktit parlamentar, duke promovuar një agjendë reformash të bazuara në sundim të ligjit”.

“Kryeministri Albin Kurti ka iniciuar proces të ri vettingut për gjyqtarët. Mirëpo, refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës vazhdon të jetë barrierë e madhe për demokratizim. Pavarësisht marrëveshjeve të arritura mes dy qeverive në fillim të vitit 2023, vitin e ka përcjellë jostabiliteti dhe përshkallëzimi i dhunës së nxitur pjesërisht prej lidhjeve jozyrtare të Beogradit me grupet e organizuara kriminale”.

Në raportin e Freedom House është përmendur, gjithashtu, reagimi i partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës ndaj “qasjes së ashpër të Kurtit në negociatat me Beogradin, dhe mungesën e konsultimeve me komunitetin e serbëve të Kosovës”, çka, sipas raportit, “i ka komplikuar përpjekjet e Qeverisë për t’u çliruar prej kësaj sfide afatgjatë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore