Lajme

Franca kërkon urgjentisht pezullimin e vendimit për dinarin: Zgjidhja të kërkohet përmes dialogut


Flamuri i shtetit të Kosovës dhe i shtetit të Francës.

Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës, i është bashkuar thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar duke kërkuar urgjentisht pezullimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e përdorimit të dinarit.

Kërkesën shteti i Francës e ka bërë përmes një komunikate të publikuar të premten e 2 shkurtit.

“Franca shprehet e shqetësuar nga hyrja në fuqi e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që autorizon vetëm euron për transaksione me para të gatshme në territorin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“Ky vendim i marrë në mënyrë të nxituar dhe të pakonkuruar, do të ketë pasoja në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë, e cila në masë të madhe varet nga pagesat e bëra në dinarë serbë nga Serbia. Në mungesë të zgjidhjeve alternative deri më sot, Franca kërkon pezullimin e menjëhershëm të kësaj mase për të siguruar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni”.

Të njëjtit kanë bërë thirrje që zgjidhja të gjendet përmes dialogut.

“U bëjmë thirrje autoriteteve kosovare që të gjejnë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në komunikatën e lëshuar.

Edhe Komisioni Evropian pas hyrjes në fuqi të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, ka kërkuar që çështja të zgjidhet përmes dialogut.

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur kundër vendimit të Bankë Qendrore të Kosovës – që u fut në fuqi këtë të enjte – për ta ndaluar dinarin në transaksione financiare dhe përdorim të kësaj valute në shit-blerje.

Deklaratat e krerëve të institucioneve të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë të shkurtër para gazetarëve të enjten, derisa komentoi kërkesën e Bashkimit Evropian (BE) për të siguruar një “periudhë mjaft të gjatë tranzitore” për çështjen e dinarit serb, tha se “kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët”.

“BQK-ja është institucion i pavarur i Kosovës, nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit; sepse kështu e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur – kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund  të negociohen nga politikanët”, deklaroi ai.

Qeveria e Kosovës.

Ndërsa presidentja Vjosa Osmani, ka thënë të enjten se për zbatimin e vendimit që valutë e vetme në Kosovë të jetë vetëm euro duhet të gjendet një “zgjidhje praktike” në mënyrë që Kushtetuta e Kosovës, të zbatohet në çdo cep të Republikës.

Kjo zgjidhje sipas saj mund të marrë kohë një muaj.

“Deri në momentin e zbatimit mund të merr përafërsisht një muaj. Do të ketë një dakordim këto dy ditë, do të kemi edhe deklarata publike. Unë jam për atë se zbatimi të jetë i plotë, e jo vetëm në letër por për këtë na duhet edhe përkrahja e aleatëve tanë në mënyrë që të kemi qëndrueshmëri”, tha Osmani.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari serb.

Në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti kjo praktikë pritet të ndalet.

Përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese midis Kosovës dhe Serbisë ose nënprodukteve të pasioneve maniçeane do të zgjerohet apo serbët lokalë do të adaptohen me euron.

Trysnia ndërkombëtare mbi Kosovën që vendimi për dinarin të pezullohet, shkak i “moskomunikimit të institucioneve”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore