Kosova

BE: Vendimi për dinarin u mor pa konsultime paraprake, çështja të zgjidhet përmes dialogut  


Eric Mamer

Komisioni Evropian iu është bashkuar thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar pas hyrjes në fuqi të rregullore së re të Bankës Qendrore të Kosovës, përmes së cilës u ndalua dinari në transaksione financiare dhe përdorim të kësaj valute në shit-blerje, duke theksuar se “vendimi është miratuar pa konsultime paraprake”.

Zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer, gjatë një konference për media në Bruksel ka kërkuar që Kosova të sigurojë një periudhë të mjaftueshme kohore për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut.

“Komisioni shpreh keqardhjen për faktin se ky vendim është miratuar pa konsultime paraprake, duke marrë parasysh pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë dhe komuniteteve të tjera në Kosovë. Komisioni është veçmas i shqetësuar për ndikimin te shkollat dhe spitalet, duke marr parasysh se nuk ka alternativa të tjera”, ka thënë Mamer.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur kundër vendimit të Bankë Qendrore të Kosovës – që u fut në fuqi këtë të enjte – për ta ndaluar dinarin në transaksione financiare dhe përdorim të kësaj valute në shit-blerje.

Kështu ka deklaruar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, para gazetarëve, menjëherë pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Dua të përsërisë qëndrimin e SHBA-ve: kemi  shqetësime serioze dhe rezerva për zbatimin e këtij vendimi. Mund ta them lirisht se jemi kundër këtij vendimi”, deklaroi Hovenier.

Ai shtoi se për shkak të shqetësimeve që kanë për eskalim të tensioneve, kjo çështje fillimisht duhet të diskutohet në Bruksel.

“Kemi përshtypjen se nuk janë në dijeni të plotë për impaktin që do ta ketë ky vendim për qytetarët, sidomos për ata që marrin ndihma nga Serbia këtu në Kosovë. Mendojmë që kjo cështje meriton shqyrtim më të kujdesshëm, por gjithashtu diskutim në dialogun e Brukselit, jemi të shqetësuar se mund t’i ekskalojë tensionet etnike”, pohoi Hovenier.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore