Lajme

Forumi Ekonomik Botëror zbulon rreziqet kryesore globale


Rreziku i rritjes së kostos së jetesës do të mbizotërojë sfidat e tjera në dy vitet e ardhshme, por ndryshimi i klimës është sfida më afatgjatë.

Kështu shkruhet në raportin e Forumit Ekonomik Botëror (WEF).

Në krye të listës së sfidave gjatë dy viteve të ardhshme është kriza e kostos së jetesës e shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila ka rritur çmimet e ushqimit dhe energjisë në mbarë botën.

Raporti u bazua në një anketë të 1 mijë e 200 ekspertëve të forumit dhe u publikua përpara forumit vjetor në Davos, i cili do të mbahet nga 16 deri më 20 janar.

Në total, WEF-ja vuri në dukje 10 rreziqe, më të rëndësishmet për dy vjet dhe dhjetë vjet. Po flasim për rreziqe tashmë të njohura dhe të reja.

Në perspektivën dyvjeçare, ekspertët veçuan si rrezik kryesor rritjen e kostos së jetesës, në vend të dytë fatkeqësitë natyrore, veçanërisht të lidhura me temperaturat ekstreme.

Në përgjithësi, pesë rreziqet kryesore përfshijnë rritjen e konfrontimit gjeo-ekonomik, dështimin e përpjekjeve për të zbutur ndryshimet klimatike dhe polarizimin e shoqërisë.

Në dhjetë rreziqet kryesore, dy të tjera lidhen me problemet natyrore (probabiliteti i incidenteve në shkallë të gjerë që lidhen me dëmtimin mjedisor në shkallë të gjerë dhe dështimi i përpjekjeve për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike), si dhe përhapja e krimeve kibernetike dhe migrimi në shkallë të gjerë.

Në një perspektivë 10-vjeçare, rreziku i rritjes së kostos së jetesës do të pushojë së qeni në dhjetëshen e parë, kërcënimi më i madh do të vijë nga dështimi i përpjekjeve për të zbutur ndryshimet klimatike.

Sipas ekspertëve, rreziku i mospërshtatjes me ndryshimet klimatike do të jetë kërcënimi i dytë më serioz në këtë drejtim, rreziqet që lidhen me fatkeqësitë natyrore do të vijnë në vendin e tretë, të katërtin më të rëndësishëm ekspertët e kanë cilësuar reduktimin e biodiversitetit dhe migrimi i detyruar përmbyll pesëshen e parë.

Më pas janë rreziqet që lidhen me reduktimin e burimeve natyrore, erozionin e lidhjeve sociale dhe polarizimin social, përhapjen e krimit kibernetik, konfrontimet gjeo-ekonomike dhe incidentet e mëdha që përfshijnë dëme mjedisore në shkallë të gjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore