Lajme

Flet përsëri Marty: Kriminelët serbë synonin të fajësonin Hashim Thaçin për vrasjen time


Dick Marty

Ish-senatori zviceran, Dick Marty, i njohur në Kosovë për raportin famëkeq që e hartoi në vitin 2010 për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që si pasojë u krijua Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku aktualisht po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, ka folur përsëri për mediat zvicerane për kërcënimet ndaj tij nga shërbimi sekret serb, duke kritikuar kështu veprimet e institucioneve të Zvicrës për mosmbrojtjen e tij.

Ai tha këtë të premte se kërcënimet për vrasje ndaj tij, kishin një qëllim: “Fajësimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçin”, raporton gazeta zvicerane, Blick.

Ndërkaq, ai akuzoi institucionet zvicerane “për veprim të ngadalshëm” për ta siguruar mbrojtjen e tij, “përkundër kërcënimeve të vazhdueshme në adresë të tij nga ana e kriminelëve serbë”.

“Çështja ka mundur të zgjidhet shumë shpejtë”, tha Marty.

Tutje, ai tha se njerëzit që donin ta vrisnin “kishin kontakte në shërbimet sekrete serbe”.

“Sepse Serbia kishte frikë se Thaçi nuk mund të sillej para drejtësisë”.

“Nëse Zvicra zyrtare do të kishte ndërhyrë menjëherë në qeverinë serbe dhe do t’u thoshte atyre se ata i dinin planet, plani do të kishte dështuar, tha Marty.

Për veprimin e ngadalshëm të autoriteteve në Zvicër, ai mendon se “u bë me qëllim që të mos dëmtoheshin marrëdhëniet me Serbinë”.

“Nuk e di pse”, shtoi ai.

Ndryshe, raporti i senatorit zviceran pas publikimit ishte miratuar edhe si rezolutë në Këshillin e Evropës, dhe shtronte nevojën për një hetim ndërkombëtar për akuzat për “trajtim çnjerëzor” dhe “trafikim të organeve gjatë luftës në Kosovë nga ana e pjesëtarëve të UÇK-së”.

“Indikacione të shumta duket se konfirmojnë se gjatë periudhës menjëherë pas përfundimit të konfliktit të armatosur, përpara se forcat ndërkombëtare të kishin qenë në gjendje të merrnin kontrollin e rajonit dhe të rivendosnin një pamje të rendit dhe ligjit, në një klinikë në territorin shqiptar, pranë Fushë Krujës, disa të burgosur iu hoqën organet për t’i dërguar jashtë vendit për transplantim”, thoshte raporti.

Siç do të kuptohej më vonë, pjesa më e madhe e raportit të Marty-it ishte dokumentacion i përgatitur nga institucionet serbe.

Ish-ambasadori serb në Zvicër, Milan Protiç, më vonë do të tregonte edhe si u takuan me Marty-in për t’ia dorëzuar dokumentet.

Rrëfyer në librin e tij “Në vendlindjen e William Tell: Histori nga Zvicra”, Protiç përshkruante edhe detaje nga takimi.

“Po e prisnim Dick Marty-in në një kthinë në Banhof të Cyrihut. Në vend figurës mbresëlënëse të Sean Cnnery-it (aktori që portretizon personazhin e fiksionit James Bond) u shfaq pamja jo bindëse e Dick Marty-it. Më në fund, show mund të fillonte”, shkruante Protiç.

Më vonë, Protiç bashkë edhe me prokurorin serb për krime lufte Vladimir Vukçeviç, kishin bindur senatorin zviceran t’i pranonte dosjet e tyre.

“Gjëja më e rëndësishme për ne ishte se ai tregoi që ishte i interesuar për provat që posedonin dhe që ia vumë në dispozicion”, shkruan Protiç, “ne e hapëm derën në të cilën hyri Dick Marty, nëse jo me të dyja këmbët, të paktën me njërën”.

Më vonë do fliste edhe Vukçeviç për takimin me Marty-in.

“Pirolla i qoftë Dick Marty-it, por ky nuk ishte fryt i punës së Dick Marty-it, por fryt i punës së prokurorisë sonë për krime lufte, por Dick Marty është përfshirë dhe unë ju kam treguar se si është përfshirë”.

Vite më pas, kur Gjykata Speciale do dilte me aktakuzë, ato çfarë thoshte Marty në raportin e tij nuk do të mbërrinin as të futeshin më aktakuzë, lërmë të provoheshin, por vetë Specialja mbeti.

Në të, tani, ka filluar Gjykimi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzën për “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore