Sport

Fitimet Kapitale, ‘loja’ e Juventus-it dhe Napoli-t përfundon nën hetim


Federata Italiane e Futbollit (FIGC) do të hetojë fitimet kapitale të dy klubeve nga Serie A, Juventus-it dhe Napoli-t.

Nga viti 2019 deri në 2021, klubet kanë kryer 62 operacione të dyshimta në merkato, nga të cilat 42 i ka bërë vetëm klubi torinez.

Komisioni i Mbikëqyrjes së Klubeve të Futbollit (Covisoc) i ka dërguar një raport investigimi dyvjeçar FIGC-së mbi fitimet e dy klubeve.

Sipas raportimeve të “Corriere Della Sera”, mes transferimeve të dyshimta janë dhe emra të mëdhenj dhe të njohur në botën e futbollit, si: Miralem Pjanic, Arthur, Danilo, Joao Cancelo dhe Victor Osimhen.

Juventus-i, si klubi më i përfshirë në këtë ngjarje, në total ka huazuar 21 lojtarë.

Vlera e qarkulluar nga këto transferta ka qenë 90 milionë euro (jo domosdoshmërish kanë qenë fitime në arkat e klubit).

Çfarë ka ndodhur?

Një nga shkëmbimet më të bujshme të Juves është ai me Barcelona-n, ku Pjanic-i shkoi në “Camp Nou” dhe Arthur-i në Torino. Boshnjaku u vlerësua 60 milionë euro, ndërsa braziliani 72 milionë euro. Shuma tepër të larta, në krahasim me vlerat reale të lojtarëve.

Mes shkëmbimeve të tjera, të vlerësuara me shifra shumë herë më të larta se ajo realja, janë edhe Danilo – Joao Cancelo. Një shkëmbim i kryer me Manchester City-n.

Danilo u vlerësua 37 milionë euro, Cancelo 65 milionë euro. Njëkohësisht me City-n, bardhezinjtë shkëmbyen lojtarë të rinj, Moreno Taboada (Juventus) 10 milionë euro dhe Andrade Correja (City) 10.5 milionë euro.

Franco Tongya dhe Marley Ake, të dy lojtarë të panjohur. Juventus-i dhe Marseille i vlerësuan nga tetë milionë euro. Aktualisht, njëri luan në Serie C, tjetri në ligën e katërt franceze.

Nicolo Rovella u ble nga Genoa për shifrën e 18 milionë eurove. Para të cilat i shpenzuan përsëri te Juventus-i, duke blerë Manolo Portanova-n për 10 milionë euro dhe Elia Petrelli-n për 8 milionë euro.

Napoli bleu nga Lille, Victor Osimhen-in për shifrën e 71,25 milionë eurove. Ndërkohë, shiti te francezët katër lojtarë të tjerë, Orestis Karnezis-in, Klaudio Manzi-n, Ciro Palmieri-n dhe Luigi Liguori-n. Përkatësisht në shifrat 5.13 milionë euro, 4 milionë, 7 milionë dhe 4 milionë.

Çfarë janë fitimet kapitale?

Fitimet kapitale në futboll përkufizohen si “rritje në vlerë”. Këto fitime vijnë kryesisht nga transferimet e lojtarëve.

Për të llogaritur shifrën e fitimit kapital, merret investimi fillestar dhe pjesëtohet me numrin e viteve të kontratës së lojtarit. Kur paguhet kartoni i një lojtari, ai nuk regjistrohet në bilanc në vitin e blerjes, por amortizohet sipas numrit të viteve në kontratë.

Për ta bërë më të thjeshtë, marrim shembullin e një lojtari, i cili kushton 50 milionë euro dhe që ka një kontratë 5-vjeçare.

Tarifa e amortizimit për një vit për këtë lojtar është 10 milionë euro. Pas çdo viti, vlera e tij do të bjerë nga 50 milionë në 40, 30 e kështu me radhë, derisa zerohet në fund të kontratës.

Nëse pas dy vitesh, kur vlera e lojtarit pas amortizimit shkon në 30 milionë euro, klubit i vjen një ofertë 70 milionë euro dhe e shet, atëherë fitimi kapital do të jetë 40 milionë euro. Nëse e shet në vitin e fundit të kontratës, fitimi do të jetë 60 milionë euro.

Në rastin e një lojtari të ardhur si transferim i lirë, apo nga akademia e klubit, ai ka vlerë plotësisht të amortizuar dhe në rast shitjeje, klubi fiton kapital 100%. Pra, nëse shitet për 50 milionë euro, të gjitha janë fitim kapital për klubin.

Amortizimi në rënie

Ka klube si Napoli apo Udinese në Serie A, që përdorin norma amortizimi në rënie. Në këtë rast, kostoja më e madhe paguhet në vitet e para të kontratës.

Kjo do të thotë që, në rastin e një transferimi 50 milionë eurosh dhe me një kontratë 2-vjeçare, 60% e amortizimit kryhet vitin e parë dhe 40% në vitin e dytë.

Në rastin e një kontrate 5-vjeçare, paguhet 40% në vitin e parë, 30% në vitin e dytë, 20% në vitin e tretë, 7% në vitin e katërt dhe 3% në vitin e pestë.

Një shembull konkret edhe për këtë rast, ku një lojtar kushton 50 milionë euro dhe ka kontratë 5-vjeçare.

Shuma e kartonit të tij paguhet 40%, ose 20 milionë euro në vitin e parë, dhe 30% ose 15 milionë euro në vitin e dytë.

Mbeten edhe 15 milionë euro, para se amortizimi të zerohet. Por, për lojtarin vjen një ofertë 70 milionë euro. Nga këto 70 milionë zbriten 15 milionët e amortizimit, në fund mbeten 55 milionë. Fitimi kapital është më i lartë se në rastin e mëparshëm.

Pse janë të rëndësishme fitimet kapitale në shkëmbime lojtarësh?

Në këtë rast ato janë të rëndësishme, pasi u japin mundësinë klubeve të regjistrojnë rritje të të ardhurave pa pasur shpenzime aktuale.

Për shembull, dy klube shkëmbejnë dy lojtarë që kushtojnë nga 50 milionë euro me kontrata 5-vjeçare. Çfarë ndodh në këtë rast? Një klub e ka lojtarin në vitin e dytë të kontratës, tjetri në vitin e tretë. Te klubi i parë fitimi do të jetë 50-30 = 20 milionë euro. Te klubi i dytë fitimi do të jetë 50-20 = 30 milionë euro.

Këto para nuk do të jenë para të gatshme për klubet respektive, por do të jenë fitime kapitale që rregullojnë bilancet.

Në rastin konkret, kjo vlen për lojtarët që kanë vlerë të njëjtë. Nëse do ishin në vlera të ndryshme, atëherë do të kishte lëvizje të parave në drejtim të njërit prej klubeve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore