Pajisje

Firmat në Mbretërinë e Bashkuar kanë më shumë gjasa t’i paguajnë sulmuesit kibernetikë


Afro 82 për qind e firmave britanike që kanë qenë viktima të sulmeve kibernetike ransomware i kanë paguar hacker-at për të rikthyer të dhënat e tyre,

Kështu ka rezultuar nga një raport i fundit, ku tregohet se mesatarja globale ishte 58 për qind, duke e bërë Mbretërinë e Bashkuar vendin më të mundshëm për të paguar kriminelët kibernetikë.

Hulumtimi i firmës së sigurisë, Proofpoint, ka zbuluar gjithashtu se më shumë se tre të katërtat e bizneseve në MB u prekën nga sulmet ransomware në vitin 2021.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se këto forma të sulmeve kanë mbetur si mënyra kryesore me të cilën kriminelët aksesojnë rrjetet.

Ato mbajnë emrin ransomware sepse hacker-at kodojnë të dhënat jetike dhe kërkojnë një shpërblim në mënyrë që të deshifrojnë informacionin.

Kjo ka sjellë që disa firma të profilit të lartë të paguajnë në mënyrë që sistemet e tyre të funksionojnë përsëri.

Madje, hulumtimi ka nxjerrë se shumë organizata që kanë qenë viktima të sulmeve ransomware kanë përfunduar duke paguar shumë herë.

Por vetëm gjysma e tyre e kanë rifituar aksesin në të dhëna dhe sisteme pas pagesës së parë, pasi kriminelët kërkonin më shumë para.

“BBC” tregon se vetëm katër për qind e atyre që paguan një shpërblim nuk ishin në gjendje të merrnin të dhënat e tyre.

Studiuesit e Proofpoint-it kanë theksuar se fakti që kjo mbetet metoda e favorizuar e sulmit për kriminelët kibernetikë do të thotë që firmat duhet të ndërtojnë “një kulturë sigurie”.

“Një sasi marramendëse biznesesh në MB përjetuan një sulm në vitin 2021 dhe 91 për qind e atyre sulmeve ishin të suksesshme”, ka dalluar Adenike Cosgrove, stratege e sigurisë kibernetike në Proofpoint.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore