Sport

Fiorentina apo West Ham, cila do triumfojë në finalen e Conference League


(UEFA via Getty Images)

Pritjes së tifozëve të Fiorentina-s dhe West Ham-it i erdhi fundi. Këtë të mërkurë në mbrëmje, duke filluar nga ora 21:00 do të luhet finalja e UEFA Europa Conference League.

Në “Eden Park” skuadra nga Firence dhe ajo nga Londra përballen pas një sezoni të trazuar në kampionat, që i shikon jashtë kupave të evropës për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, njëra prej tyre, e cila do të ngrejë trofeun, do të ketë mundësi të luajë në Europa League.

Italianët do të synojnë ta mbajnë trofeun në Itali. Kujtojmë që në finalen e sezonit të kaluar të zhvilluar në “Air Albania” në Tiranë, ishte skuadra e Roma-s që triumfoi ndaj holandezëve të Feyenoord-it.

Fiorentina nuk ka fituar një titull të madh evropian që nga Kupa e Fituesve të Kupave Evropiane 1960-61, por Viola mund të guxojë të ëndërrojë në Pragë. Ata kanë fuqi si asnjë skuadër tjetër në Conference League këtë sezon, pasi kanë shënuar 36 gola në 14 ndeshje rrugës për në finale (përfshirë shtatë për golashënuesin më të mirë të garës, Arthur Cabral).

Gjysmëfinalistët në Europa League sezonin e kaluar, West Ham i David Moyes kanë bërë një hap më tej në Conference League dhe një sukses i parë i madh kontinental që nga viti 1965 është në horizont. Ata mund të kenë arsye të ndihen si në shtëpi edhe në Pragë, të dy Tomas Soucek dhe Vladimir Coufal luajtën në “Eden Arena” gjatë kohës së tyre te Slavia Praha.

Fiorentina vjen në këtë ndeshje pasi përfundoi sezonin në Serie A në vendin e tetë dhe gjithashtu u mund në finalen e Kupës së Italisë nga Inter-i. Me këta të fundit që të shtunën do të luajnë një tjetër finale italo-angleze përballë Manchester City-t në Champions League.

Sezoni i West Ham ka qenë totalisht zhgënjyes. Ata përfunduan në vendin e 14 dhe me vetëm gjashtë pikë i shpëtuan rënies nga kategoria.

Kujtojmë që rrugëtimi i të dyja skuadrave nisi që nga faza e grupeve të kompeticionit. Fiorentina përfundoi e dyta në Grupin A, ndërsa në fazat me eliminim direkt hoqi skuadra si Braga, Sivasspor, Lech Poznan dhe Basel.

West Ham e mbylli si kokë e Grupit B dhe gjatë fazave me eliminim direkt hoqi skuadra si AEK, Gent dhe AZ Alkmaar.

Formacionet e mundshme

Fiorentina: Terracciano; Dodo, Igor, Milenkovic, Biraghi; Mandragora, Amrabat; Gonzalez, Bonaventura, Ikone; Cabral.

West Ham: Areola; Kehrer, Zouma, Aguerd, Cresswell; Soucek, Rice, Paqueta; Bowen, Antonio, Benrahma.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore