Shqipëria

Fillon vaksinimi në Shtëpinë e të Moshuarve, në Tiranë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar ditën e mërkure se ka filluar vaksinimi në Shtëpinë e të Moshuarve, në Tiranë. Personeli kujdestar në shtëpitë e kujdesit shtetëror si dhe të moshuarit, do të marrin dozat e para të vaksinës Pfizer.

Sipas Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, është bërë një anamnezë për të gjithë gjyshërit. Kjo për të bërë një parahyrje të vaksinës.

Janë aktualisht 1 mijë përfitues të vaksinës, ku 700 prej tyre janë të moshuar dhe 300 janë staf kujdestar.

“Më pas do të fillojmë me grupin +80 vjeç me ardhjen e sasive të tjera të vaksinave, nga java tjetër”, shprehet Manastirliu.

Gjithashtu, kryeministri theksoi se personeli kujdestar ka qëndruar i izoluar në Shtëpitë e të moshuarve, kjo me qëllim parandalimin e infektimit të të moshuarve nga Coronavirus-i.

“Tani me vaksinën dhe stafi do të shkojë në shpi dhe do të jenë më të mbrojtur”, është shprehur ai.

Brenda 7- 10 ditëve pritet të mbyllet i gjithë procesi i vaksinimit tek të moshuarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore