Shqipëria

“Fillimi tjetër” i Vlorës, në përballjen mes historisë dhe nostalgjisë


Për të gjithë romantikët ose nostalgjikët e historisë ciklike, Vlora do të dëshmojë më 14 maj një përballje eskapiste me kujtimet e vetvetes.

E kjo, i tejkalon të gjitha statistikat për një garë të parashkruar kur flasim për “Shkodrën” e Socialistëve.

Përballë njëri-tjetrit janë vendosur dy kandidatë respektivë nga mazhoranca qeverisëse dhe koalicioni i bashkuar opozitar “Bashkë Fitojmë”: Ermal Dredha (PS) dhe Hysni Sharra (BF).

Një tjetër përfaqësues i familjes Dredha, do të mandatohet me shumë gjasë si kryeadministrator i qytetit prej më shumë se 600 kilometrash katrorë.

Diplomati i çliruar nga detyrat e tij prej ambasadori mund të pasojë babain e tij, Neki Dredha, në detyrën e kryebashkiakut, pasi ky i fundit e drejtoi Vlorën nga viti 1998 deri në vitin 2000.

Për ta nxjerrë romantizmin nga aspekti i ndjenjës për atdheun mjaftoi kandidati Hysni Sharra.

Ai është pinjolli i fundit i një familjeje të vjetër patriotike, ku Elham Sharra ishte kryetari i parë në demokraci i Bashkisë së Vlorës, i zgjedhur në vitin 1992.

Filozofi gjerman Martin Heidegger i shihte këto ndeshje me të kaluarën jo “siç ishin” – si një rikthim i së shkuarës në praninë e saj të kaluar, identitetin e origjinës së pastër – por nga joidentiteti dhe forca ndërprerëse të asaj që ai e quajti “fillimi tjetër”.

Heidegger artikulonte në këtë mënyrë marrëdhënien dinamike kohore të historisë si dhe një marrëdhënie të ndryshme me historinë, në të cilën e tashmja mund të ndeshet dhe t’i përgjigjet e shkuara.

Historia kalon nga Vlora

Elham Sharra drejtoi bashkinë për katër vjet (1992-1996), në një periudhë vështirësish të jashtëzakonshme dhe transformimesh të mëdha në formën e organizimit.

Zgjedhjet lokale të 20 tetorit të vitit 1996, pasonin zgjedhjet parlamentare të 26 majit të atij viti, të cilat u kontestuan ashpër nga ndërkombëtarët.

Gëzim Zile, përfaqësues demokrat dhe një intelektual i shquar, fitoi një mandat 4-vjeçar, por e ushtroi atë vetëm pak muaj.

Protestat masive kundër firmave piramidale, që nisën dhe patën epiqendër Vlorën, detyruan Zilen të jepte dorëheqjen nga funksioni.

Ai u largua nga kjo detyrë në pranverën e vitit 1997.

Pas këtij momenti, në krye të Bashkisë erdhi për pak javë Tare Hamo, përfaqësues i PS-së dhe më pas, mes dy subjekteve kryesore politike, u gjet formula e drejtimit të qeverisjes vendore, me dy bashkëkryetarë.

Kështu, për një periudhë prej pak më shumë se një viti Bashkia e Vlorës u drejtua nga Dejvi Tushe dhe Agron Shehu, respektivisht përfaqësues të PS-së dhe PD-së.

Në qershor të vitit 1998-të u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme vendore, ku kandidati i PS-së, mjeku Neki Dredha, do të shpallej fitues.

Ai e drejtoi qytetin për dy vite, për t’u zëvendësuar më pas nga një tjetër mjek, përfaqësues i të njëjtit subjekt politik, PS-së, Niko Veizi.

Veizi e administroi Vlorën për tre vite, deri në tetor të 2003-shit, kur Shpëtim Gjika, do të fitonte bindshëm ndaj rivalit të tij të PD-së, mjekut Kristaq Bisholla.

Por, mandati 2003-2007, nuk do të ishte i vetmi për Gjikën.

Ai do ta përsëriste suksesin edhe në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit të vitit 2007-të, në garë me Kreshnik Alimerkon e PD-së, ashtu si edhe në 8 maj të vitit 2011, përballë demokratit Ardian Kollozi.

Gjika është kryetari më jetëgjatë i Bashkisë së Vlorës, në të gjithë historinë e qytetit me tre mandate.

Një dorë në Vlorë

Edhe pse fitorja është një formalitet, Vlora është drejtuar në mënyrë pothuaj të komanduar nga kryeministri Edi Rama gjatë dy viteve të fundit pas krisjes totale mes tij dhe ish-kryebashkiakut Dritan Leli.

Ky i fundit, madje bojkotoi disa herë mbledhjet e Këshillit Bashkiak të qytetit bregdetar.

Drejtimi është adresuar në vijimin e projekteve të lotit të tretë të Rrugës së Lumit, Bypass-it që lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, Tuneli i Llogarasë, Lungomares ose Aeroportit të ri Ndërkombëtar të Vlorës.

Vlora numëron më shumë se 60 mijë votues nëse i referohemi shifrave të vitit 2021 dhe mandaton 51 anëtarë të Këshillit Bashkiak.

Vështirësia dhe ndoshta e vetmja taktikë kundërsulmuese e opozitës në qytetin bregdetar për të bërë fushatë është pikërisht dora e padiskutueshme e kryeministrit në transformimin e Vlorës.

E ashtuquajtura “Rilindja Urbane e Vlorës” mund të shihet si “Tirana bashkiake” e dytë në rezymenë e Ramës pasi vizioni i tij është i kudondodhur në shtrirjen dhe organizimin e ri të qytetit.

Projekti më i fundit i Qeverisë, Sheshi i ri i Flamurit në Vlorë është drejt përfundimit.

Ky investim fillon nga Xhamia e Plumbit në qendër të qytetit dhe përfundon tek zona e njohur si ish-Kapelja.

Dy profile në Vlorë

Ermal Dredha është një diplomat dhe politikan shqiptar me përvojë.

Më herët, Dredha ka punuar si Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Bari të Italisë.

Ai ka mbajtur pozita të ndryshme në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ka përvojë të gjërë në marrëdhëniet ndërkombëtare, protokollin shtetëror si dhe në menaxhim.

Në mars të vitit 1999, Dredha ka punuar edhe si përkthyes, për grupet e gazetarëve italianë të cilët erdhën në Shqipëri gjatë krizës së Kosovës.

I zotë në disa gjuhë, Dredha ka ndërtuar një karrierë të shquar në përfaqësimin e interesave të Shqipërisë dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në prill të vitit 2023, ai u emërua si kandidat i Partisë Socialiste të Shqipërisë për Zgjedhjet Lokale të vitit 2023 për Bashkinë e Vlorës.

Përballë një diplomati socialist gjendet një ekonomist demokrat.

Hysni Sharra ka kryer të gjithë ciklet e studimit në Vlorë, shkollën e Mesme “Ali Demi” dhe Universitetin Teknologjik “Ismail Qemali”, Fakultetin e Ekonomisë, në Degën Menaxhim Biznesi, në vitet 1994-1998.

Ai ka kryer po aty edhe studimet për drejtësi të përfunduara në vitin 2010. Hysniu ushtron profesionin e Kontabilistit të miratuar që prej vitit 2012, i angazhuar në sektorin privat si profesionist i lirë.

Është njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze dhe italiane. Ka ushtruar profesionin e ekonomistit më parë në Dhomën e Tregtisë, në Bankën Kombëtare Tregtare dhe në sektorin privat.

Ka mbajtur detyra të rëndesishme në administratën publike duke drejtuar me seriozitet, profesionalizëm e integritet institucione si Dega e Doganës Vlorë, Drejtoria Rajonale Tatimore Vlorë, Drejtoria Rajonale e Bujqësisë.

Ai është njohës mjaft i mirë i qeverisjes vendore për shkak të angazhimit të tij të mëparshëm si anëtar i Keshillit Bashkiak Vlorë në vitet 2003-2007 dhe 2011-2015.

Sharra garon për detyrën e kryebashkiakut pasi fitoi procesin e Primareve të zhvilluar në Partinë Demokratike.

Oferta favorite në Vlorë

“Destinacion turistik në Mesdhe”.

Ky është projeksioni fillestar i fushatës së kandidatit socialist Ermal Dredha për Vlorën e së nesërmes.

“Dihet që projeksioni jonë është që ta bëjmë Vlorën një destinacion turistik jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në të gjithë Mesdheun. Kjo ka bërë që të jetë vendosja e disa investimeve strategjike, përmendim këtu Aeroportin e Vlorës, Tunelin e Llogarasë që lidh Jugun dhe aq më tepër edhe Lungomaren që do të përfshijë gjithë vijën bregdetare të Vlorës”.

Sipas tij, të gjithë këto komponentë përbëjnë vetëm një emërues të përbashkët, “investime të reja dhe vende pune”.

“Me administratën e re të bashkisë do të fillojmë punën sa më shpejt të jetë e mundur pas zgjedhjeve. Ne do të jemi në fokus të plotë dhe do të punojmë me një ritëm të shpejtë për të zgjeruar projektet në brendësi të qytetit”, garantoi ish-diplomati.

Kjo, duke filluar nga rrugët e brendshme, për t’i rregulluar sa më shpejt të jetë e mundur, përmirësimin e ndriçimit si dhe furnizimin me ujë të pijshëm, shtoi Dredha.

Në këtë mënyrë, pohon ai, qyteti bregdetar duhet të jetë më i aksesueshëm dhe i mirëlidhur me zonat rurale, në mënyrë që të promovohen produktet e zonës.

Ai premton se ndërtimet do të lejohen dhe do të ketë, por jo në mënyrë abuzive.

“Sa i përket projekteve të mëdha, ne jemi më shumë të orientuar të shikojmë, të promovojmë, apo të mbështesim fort investime që i përkasin turizimin”.

Hoteleria, vëren Dredha, do të jetë një nga shtyllat bazë e programit të tij.

“Kemi një fluks të madh turistësh, sidomos në periudhën e verës. Duhet t’u përshtatemi dhe t’u ofrojmë kushtet që kërkohen për një turist. Duhet të ketë më shumë dhoma hotelesh”.

“Underdog”

Në takimet elektorale që ka kryer apo dhe në daljet e tij mediatike, turizmi i qëndrueshëm dhe cilësor ka qenë kryefjala e Sharrës.

Pra, zgjatja në kohë e periudhës turistike me një kombinim të turizmit detar, malor, kulturor, historik.

Vlora ka një Universitet, i cili mund të fokusohet te sektori i hotelerisë dhe turizmit – një fushë studimi dhe ekspertize me një treg të gatshëm pune.

Dhe kandidati i Primareve demokrate premton një shtysë dhe një bashkëpunim mes bashkisë dhe Universitetit për të përgatitur studentët për këtë treg pune që ekziston.

Mbajtja pastër e ujerave, e vijës bregdetare, evitimi i derdhjes së ujerave të zeza aty ku nuk duhen, do të duhet të jenë veprimet e para në Bashki, sipas Sharrës.

Keqpërdorimi i pasurive natyrore dhe ndotja e mjedisit, shpesh e toleruar për hir të interesave të ndryshme personale dhe politike, duhet ndaluar, vëren ai.

Prandaj përdorimi i pasurive natyrore duhet bërë në mënyrë etike sipas standardeve dhe teknologjisë bashkëkohore, me përgjegjësi, duke mos shkaktuar ndotje apo dëme.

Infrastruktura lokale, për të përmirësuar çdo lagje dhe të gjithë lëvizshmërinë në bashki, duket se do të ketë një fokus të rëndësishëm në një qeverisje të mundshme të bashkisë nga kandidati i djathtë i “Bashkë Fitojmë”.

Gjithashtu, ka një përqëndrim te “forcimi i identitetit të qytetit”, jo duke prishur sheshin, por duke i përmirësuar ato, “për të ndërtuar dhe nxjerrë në pah veçoritë më të mira të qytetit të Vlorës”.

Bujqësia dhe investimi për të nxjerrë produktet lokale me markën “Made in Vlora” është gjithashtu një propozim i rëndësishëm.

Një nga propozimet më interesante ishte zgjedhja me votë e administratorit në rajonet e bashkisë.

Kjo rrit demokracinë në qytet, inkurajon llogaridhënien në çdo hallkë, dhe është një hap konkret drejt decentralizimit, që çon në rritjen e fuqisë së qytetarit.

Vlora bëri bashkë nostalgjinë e qytetit për të zgjedhur fillimin tjetër, pavarësisht rezultatit përfundimtar.

Pushteti lokal do të trashëgohet dhe do të hyjë ndoshta në librat e historisë së Vlorës.

Fillimi tjetër kaloi pas një përballjeje mes historisë dhe nostalgjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore